Matoshi – Abdixhikut: Ka rritje të vendeve të punës, ke bërë kalkulim politik

Shifrat e papunësisë në Kosovë janë bërë shkak i reagimeve pasi Kryeministri Haradinaj sot prezantoi shifra që sipas tij tregojnë uljen e papunësisë.

Ndaj kësaj reagoi deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se me Qeverinë aktuale humbin 36 vende pune çdo ditë.

Ndaj kësaj, reagoi këshilltari i Kryeministrit, Halil Matoshi i cili tha se Abdixhiku ka bërë një kalkulim politik.

“Po, Lumir! Ka lajme të mira në numrat e papunësisë… Shifra se nga shtatori 2017 deri sot qenkan më pak 24 mijë të punësuar nuk mbështetet në fakte: Nuk janë më pak 24 mijë vende pune, deputet i respektuar, sot janë më shumë 13,748 vende pune! Pra Lumir Abdixhiku ka bërë një kalkulim politik!”, tha Matoshi.

“A e di i nderuar deputet se janë disa muaj të viteve zgjedhore kur paguhen me kontrata afatshkurta 40-50 mijë komisionerë, prandaj shifrat manipulative nuk janë argumente të mira për kritikë ndaj Qeverisë!  Kur e ke me vete fuqinë e argumentit dhe drejtësinë, vetëm atëherë e fiton admirimin e publikut”, ka shtuar më tej Matoshi.

Ai ritheksoi qëndrimin e Haradinajt, duke thënë se është ngritur numri i të punësuarve.

“Sipas të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës, si institucion kompetent që mban llogaritë e të punësuarve, në shtator 2017 kishte 266,216 te punësuar, ndërsa në shtator 2018 ky numër është ngritë në 279,964. Ndryshimi pozitiv, vende pune që janë shtuar mbrenda një viti (pa punësimin informal) janë 13,748.
Deri në shtator të këtij viti jemi të sigurt që rritja do të jetë edhe më e madhe, krahasuar me vitin paraprak dhe këtë, Qeveria Haradinaj do ta bëjë publike, pa bujë, por me saktësi dhe përgjegjësi shtetërore”, tha Matoshi.

Kryeministri Ramush Haradinaj sot ka publikuar disa të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku deklaroi se papunësia në Kosovë për muajt janar-mars ka rënë për 4.7 %.

https://kallxo.com/haradinaj-per-3-muaj-papunesia-ka-rene-per-4-7-per-qind/

.