Sa është i pasur Halil Matoshi?

Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Halil Matoshi ka deklaruar pasurinë pranë Agjencisë Kundër Korrupsion.

Ai, përveç punës përkrah Haradinajt është edhe si ligjërues në një kolegj privat.

Në deklarimin e tij të pasurisë, Matoshi ka deklaruar si pasuri të paluajtshme një truall me sipërfaqe prej 6 ari ne pronësi familjare e me vlerë prej 20 mijë euro dhe një shtëpi banimi me sipërfaqe prej 150 metra katror e në vlerë prej 25 mijë eurove.

Matoshi nuk ka të deklaruar pasuri të luajtshme.

Ndërsa, këshilltari i Haradinajt ka edhe një kredi prej 7 mijë eurove që do ta paguaj deri në vitin 2021.

Rroga si këshilltar politik për një muaj e Halil Matoshit është deklaruar 1 mijë e 340 euro e që për një vit i bie se Matoshi nga buxheti i shtetit merr 16 mijë e 80 euro.

Ai po ashtu ka deklaruar edhe pagën mujore që merr në një kolegj privat e që është 500 euro në muaj.

Matoshi ka deklaruar edhe pagën e vajzës së tij e cila punon në RTK me kontratë mbi vepër me pagë mujore prej 600 euro.