Ukë Rugova në bankën e të akuzurve - 11 mars 2021 - FOTO KALLXO - Shyrete Maliqi

Ukë Rugova dhe të tjerët para gjykatës për skandalin me viza italiane

 

Ka filluar seanca ndaj Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani, për skandalin me viza italiane.

Ky gjykim ka filluar rishtazi për shkak të ndërrimit të trupit gjykues, dhe pritet që të akuzuarit të deklarohen përsëri rreth fajësisë.

Këtë rast tash më do ta gjykoj Fatime Dërmaku.

Aktakuza  për këtë rast është ngritur nga Prokuroria Speciale më 16 maj të vitit 2016 dhe ndonëse kanë kaluar afro 5 vite ky rast ende nuk ka një epilog.

Kujtojmë se Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm  në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani akuzohen se në bashkëpunim me 15 të akuzuar të tjerë ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për pesë të lartcekurit është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit duke u njohur si rasti “Ukë Rugova 1”, ndërsa për 15 të akuzuarit e tjerë procesi gjyqësor njihet si “Ukë Rugova 2”.

Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178  dëshmitarë, 70 prej te cilëve kanë të bëjnë me rastin “Ukë Rugova 1”.

Po ashtu edhe të akuzuarit e tjerë të këtij procesi penal të ndarë në “Ukë Rugova 2” janë deklaruar të pafajshëm.

Ukë Rugova në bankën e të akuzurve – 11 mars 2021 – FOTO KALLXO – Shyrete Maliqi