Nga një seancë e mëhershme ndaj Vehbi Brahës. Foto: Kallxo.com

Shtyhet seanca ndaj ish-zyrtarit të ujësjellësit për gomat e ekskavatorit dhe telefonat pa prokurim

Në gjykatën e Mitrovicës është shtyrë seanca ndaj Vehbi Brahës, i cili nga prokuroria e Mitrovicës po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Braha akuzohet se në dy raste gjatë kryerjes së detyrave të tij si zyrtar i lartë financiar në kompaninë e ujësjellësit kishte tejkaluar kompetencat e tij me çka edhe ka kryer vepra penale.

Pas leximit të akuzës nga prokurori Njazi Rexha, i pandehuri Braha edhe një herë ka deklaruar se nuk ndihet fajtor për veprën me të cilën ngarkohet nga prokuroria.

Kurse në kohën kur në seancë do të jepej fjala hyrëse nga palët në këtë rast, prokurori Rexha ka propozuar që në seancë të jenë prezentë edhe përfaqësuesit e kompanisë së Ujësjellësit të Mitrovicës, si dhe të telefonisë mobile IPKO.

Ky propozim është aprovuar nga trupi gjykues me Bekim Veliqin kryetar dhe Florije Zyla e Fatos Sejdiaj anëtar.

Ndërsa me qëllim që në seancën e radhës të ftohen edhe përfaqësuesit e ndërmarrjeve Ujësjellësi dhe IPKO, seanca e së hënës është shtyrë.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me 2 dhjetor.

Sipas prokurorisë në Mitrovicë, Braha në cilësinë e zyrtarit të lartë financiar në KRU në Mitrovicë, në gusht 2014 ka tejkaluar kompetencat e tij duke urdhëruar Ferki Behxhetin – shef i mekanizmit, Fahredin Hoti – Vozitës dhe Nexhmedin Berishën – ekskavatorist, për blerjen e dy gomave të brendshme të ekskavatorit në vlerë prej 1.784,00 euro, në D.Z.T “Merovci” në fshatin Dobërlluk.

Këtë në akuzë thuhet se ai e ka bërë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, sipas të cilit për çdo punë, shërbim apo furnizim i cili tejkalon vlerën mbi 100 euro, duhet të kalojë përmes procedurave të Prokurimit.

Më këtë akuzohet se ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar.

Kurse në pikën dy të akuzës thuhet se për Vehbi Brahën ekziston dyshimi i arsyeshëm se në korrik të vitit 2014 po ashtu si zyrtar i lartë financiar në KRU Mitrovicë ka tejkaluar kompetencat e tij.

Vehbi Braha, deklarohet rreth fajësisë për akuzat ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’

Këtë sipas akuzës ai e ka bërë duke lidhur për shërbime të telefonisë mobile me IPKO-në me ç’rast kishte bërë dorëzimin e 206 telefonave për zyrtarët e kësaj kompanie, pa kaluar në procedurën e prokurimit.

Sipas akuzës vlera totale e telefonave që ishin dorëzuar më marrëveshjen e arritur për tre vite, arrinte vlerën 6,102 euro.

Me këtë veprim kishte kryer veprën keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

I pandehuri Braha është deklaruar se nuk ndihej fajtor për akuzën më të cilën ngarkohet nga prokuroria, edhe në seancën e shqyrtimit fillestar e cila është mbajt në janar të këtij viti, në gjykatën e Mitrovicës, raporton Kallxo.com.