Shefi i personelit rrëfehet në Gjykatë në gjykimin për korrupsion ndaj Zenun Elezajt

Xhavit Dauti, shef i personelit në komunën e Klinës, tha se vendimin për formimin e komisionit në rastin e punësimit të vajzës së kryetarit Zenun Elezaj, e ka nënshkruar kryetari Elezaj.

Dauti këtë deklarim e bëri sot në gjykimin ku kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, po akuzohet për konflikt interesi lidhur me punësimin e vajzës së tij.

Dauti sqaroi para trupit gjykues se vendimin për themelim të komisionit e ka përpiluar vetë ai sipas rregullores, por nënshkrimin e ka bërë sipas kompetencës kryetari Elezaj.

Ai tha se vendimin me emrat e propozuar nga ana e tij, mund të refuzohet të nënshkruhet nga kryetari, e qe në rastin konkret kryetari e ka nënshkruar.

Ai tha se komisionit formohet pasi mbyllet aplikimi nga ana e kandidatëve, dhe se në këto dosje nuk ka qasje kryetari i komunës në momentin që nënshkruan vendimin për formim të komisionit.

“Nuk i dërgohet lista e aplikantëve e as aplikacionet, kryetari vetëm formon komisionin, unë e shkruaj vendimin dhe kryetari e nënshkruan” tha Dauti.

Dëshmitari tha se ai e kishte parë emrin e vajzës së kryetarit në aplikacion, por që nuk ka pas njohuri se ajo ka qenë vajza e kryetarit, andaj edhe nuk e ka njoftuar kryetarin për këtë fakt.

“Prej momentit të nxjerrjes së vendimit për themelim të komisionit deri në cilin moment të ka njoftuar ty kryetari se ka konflikt interesi” ishte pyetja e prokurores Valbona Disha-Haxhosaj.

Ai tha se ishte njoftuar nga kryetari pasi ishte bërë përzgjedhja e vajzës së tij si kandidate e suksesshme.

“Po me ka njoftuar se është konflikt interesi kur paneli e ka zgjedhur vajzën e tij si kandidate të suksesshme, dhe kështu kryetari i ka deleguar kompetencat nënkryetarit” tha ai.

Ai po ashtu tha se ky njoftim ishte bërë në mënyrë verbale.

Ky dëshmitar është ftuar sot të dëgjohet sipas udhëzimeve të gjykatës së Apelit, në vendimin e fundit ku kjo gjykatë e ka kthyer rastin në rigjykim.

Elezaj ishte dënuar nga shkalla e parë për vepër penale konflikt interesi.

Elezaj ishte dënuar me 4000 mijë euro gjobë e po ashtu ishte shqiptuar ndalimi i ushtrimit të profesionit për dy vite.

Prokuroria e Pejës pretendon se kryetari Zenun Elezaj edhe pse e kishte ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në konkursin e datës 2 shkurt 2018, ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies se punës lidhur me po të njëjtin konkurs.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar, kishte përzgjedhur vajzën e kryetarit si më të suksesshmen, duke e punësuar atë në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se kallëzimi penal kundër kryetarit Elezaj është ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Kosovë.