Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prova se policia po i fsheh publikut disa raste të dhunës në familje

KALLXO.com përmes një hulumtimi ka gjetur shpërputhje mes raportit të policisë dhe rasteve ku viktimat kanë raportuar raste të dhunës në familje.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh që ju drejtohet mediave, ka informuar se gjatë ditës se djeshme viktimat kanë raportuar 6 raste të dhunës në familje ndërsa katër raste janë larguar mistershëm nga raporti i sotëm 24 orësh i policisë.

KALLXO.com ka gjetur se sipas raporteve të brendshme të policisë janë raportuar mbi 10 raste të dhunës në familje.

Krahasimi në mes raportit që u është dërguar mediave dhe raprotit që u është dërguar eprorëve të policisë dhe disa institucioneve tregon se dy raste që i janë fshehur publikut kanë ndodhur në rrethin e Prishtinës, një tjetër në Mitrovicën e Jugut dhe një në rajonin e Gjakovës.

Kallxo.com ka kërkuar llogari pse kjo fshehje e informacionit ka ndodhur mirëpo Policia e Kosovës nuk ka ofruar sqarime.

Gjatë ditës KALLXO.com ka raportuar për mungesën e një rasti tjetër në rajonin e Pejës ndërsa tutje u kuptua se në këtë komunë ka pasur dy raste të dhunës të cilat nuk janë raportuar tek mediat nga policia.

Zëdhënsi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë se gjatë ditës së djeshme janë raportuar 2 raste të dhunës në familje në këtë regjion.

Ndërsa në raportin 24 orësh nuk është futur asnjë rast i dhunës në familje nga ky regjion.

Sqarimi që është marrë nga Peja thekson se rasti do raportohet ditën e nesërme për shkak se rastet janë proceduar shumë vonë.

Gjatë ditës se djeshme, KALLXO.com ka publikuar një analizë, që tregon se gratë e vrara nga burrat e ish burrat e tyre, paraprakisht e kishin lajmëruar dhunën ndaj tyre në polici.

Këto raste tregojnë se shteti nuk u është përgjigjur thirrjeve të grave për mbrojtje.

Ata që dështuan t’i mbrojnë gratë, vazhdojnë punën në sistemin e drejtësisë (kallxo.com)