Prokuroria kërkon paraburgim për zyrtarët e Komunës së Prizrenit

Dy zyrtarë të zyrës ligjore të Komunës së Prizrenit  ishin  arrestuar dje në orët e mesditës. Shefi i zyrës ligjore Arben Krasniqi dhe Shqipron Krasniqi në cilësi të zyrtarit ligjore në Komunën e Prizrenit janë arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokurorja e rastit Arijana Shajkovci gjatë ditës së stome para gjykatës së Prizreni ka dorëzuar kërkesë që dy zyrtarëve të arrestuar të ju caktohet paraburgimi.

Avokatët Bestar Kolgeci dhe Driton Shehu  e kanë kundërshtuar kërkesën e Prokurores për caktim të paraburgimit, duke e quajtur të pabazë dhe aspak të arsyetuar ligjërisht.

“Kjo kërkesë e prokurorisë është fyerje për vet gjykatën “ ka thënë mbrojtësi i të dyshuarit Shqipron Krasniqi avokati Bestar Kolgeci.

Kallxo.com mëson se dy zyrtarët e Komunës fillimisht ishin ftuar në prokurori për tu mare në pyetje, më pastaj ishin dërguar në stacionin Policor ku atyre iu ishte caktuar ndalim Policor prej 48 orësh.

Gjykata pritet që brenda ditës të vendos për kërkesën e Prokurorisë.

Prokuroria e Prizrenit po pretendon se zyrtarët ligjor të ndaluar kanë lejuar këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit në kundërshtim me ligjin.

Sipas dyshimeve të Prokurorisë të dy të pandehurit në një kontest civil në asnjë seancë gjyqësore nuk e kanë kundërshtuar propozimin për shkëmbim të pronës, që sipas prokurorisë është në dëm të Komunës dhe që të njëjti pretendohet se nuk kanë paraqitur ankesë ndaj vendimit të Gjykatës.

Avokati Bestar Kolgeci ka kundërshtuar pretendimet e prokurorisë duke thënë se vet Gjykata e Prizrenit me një vendim e ka lejuar rregullimin dhe përtëritjen e mëgjeve, dhe se në rastin konkret nuk bëhet fjalë për këmbim të pronës komunale

Edhe dy zyrtarët e ndalur Arben Krasniqi dhe Shqipron Krasniqi e kanë kundërshtuar kërkesën e prokurores që atyre të iu caktohet paraburgimi, duke e cilësuar këtë masë si shumë të ashpër, dhe se të njëjti do ti përgjigjeshin çdo ftese të Prokurorisë.

 

Zyrtare: Për çfarë po dyshohen zyrtarët e arrestuar në Prizren

.