Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Prokurori Special i Kosovës e fillon “turbullimin e ujrave”

 

Pas disa vitesh heshtje, Zyra e Prokurorisë Speciale njoftoi javën e kaluar se ka ngritur një aktakuzë të pakonfirmuar kundër Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe liderit të PDK-së Kadri Veselit. Prishtina Insight bashkëbisedoi me tre ekspertë juridik duke iu parashtruar pyetjen: pse tani, dhe a ishte kjo e ligjshme?

Mbrëmjen e së hënës, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dha një deklaratë në të cilën iu përgjigj lajmeve se kundër tij është ngritur aktakuza për krime kundër njerëzimit si dhe për krime lufte, në muajin Prill nga Zyra e Prokurorisë Speciale, ZPS.

“Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqjen si presidenti juaj dhe do të përballem me akuzat,” deklaroi Thaçi. “Unë nuk do të përballem me këto akuza nga Zyra e Presidentit.” Ai mohoi çdo përgjegjësi penale për krimet e luftës.

Se një aktakuzë e pakonfirmuar ishte ngritur kundër Thaçit, ishte bërë publike përmes një deklarate për media nga Zyra e Prokuroisë Speciale më 24 qershor, në të njëjtën kohë kur presidenti po udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë për një takim me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Përmes atij njoftimi të vetëm për media, Zyra e Prokurorisë Speciale e theu atë që deri tani njihej si markë e heshtur duke turbulluar ujrat njëkohësisht – duke e zhvendosur strategjinë e saj të komunikimit duke mos reaguar fare për një kohë të gjatë e pastaj për të reaguar me rreptësinë më të madhe përmes një njoftimi të vetëm. Pasojat e mundshme politike dhe juridike të veprimeve të Zyrës së Prokurorisë Speciale, ZPS, mund të sinjalizojnë një katastrofë për Dhomat e Specializuara të Kosovës, KSC, nëse jo në funksionimin e saj, të paktën në perceptimin e saj publik.

Matthew Cross ka punuar në zyrat e prokurorisë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ICC. Ai beson se shpallja e aktakuzës kundër Thaçit – i dyshuari kryesor nga Dhomat e Specializuara – në këtë fazë ishte një nga hapat më të guximshëm që Gjykata mund të kishte ndërmarrë.

Cross thotë se ka të ngjarë që ky të ishte një veprim që synonte të komunikonte para publikut kosovar që Prokuroria e Specializuar është akoma këtu, ende e rëndësishme, dhe ende në gjendje të bëjë atë për të cilën ata janë përcaktuar të bëjnë.

“Në terma të lojës së pokerit, mund të thuash që ZPS e ka vënë bastin me krejt potencialin e tij,” i thotë ai Prishtina Insight. “Ata nuk mund të kishin bërë një deklaratë më ambicioze. Kjo është një shenjë që ata mendojnë se do të kenë sukses të jashtëzakonshëm. Ose kjo, ose ky është fillimi i një katastrofe.”

Ekziston një rrezik i madh në marrjen e vendimeve për ta bërë fillimisht njoftimin e Gjykatës për të dyshuarit më të rëndësishëm shoqëror dhe politik, paralajmëron Cross. “Është një gjë e jashtëzakonshme sepse ata do të duken si palaço nëse në muajin tetor  gjyqtari deklaron se nuk ka prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës,” thotë ai. “Ata me të vërtetë mendojnë se e ia kanë dalë.”

Sidoqoftë, për Artan Qerkinin, avokat mbrojtës nga Prishtina, i akredituar pranë Dhomave të Specializuara, bërja publike e aktakuzës kundër Thaçit është një zhvillim i padëshiruar. “Në sytë e njerëzve në Kosovë, [shpallja] e aktakuzës së pakonfirmuar për Z. Thaçi dhe Z. Veseli nuk është aspak e mirëpritur,” thotë ai për Prishtina Insight. “Ajo ka krijuar perceptimin se vetëm është njoftuar [për të ndërhyrë] në procedurat politike dhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”

Qerkini e sheh Gjykatën si ndërhyrje në çështjet e brendshme politike të Kosovës. Mbi pengimin e drejtpërdrejtë të procesit të dialogut, për të cilin Thaçi është figura kryesore, dorëheqja e tij e pashmangshme do të shkaktonte një “krizë politike” pasi që vendi do të duhej të zgjidhte një president të ri. 

Sipas profesorit të së drejtës penale ndërkombëtare Alexander Heinze, ZPS ka dërguar dy mesazhe të qarta përmes kësaj deklarate. Së pari, ata kanë mjaft besim në provat e gjetura gjatë hetimeve të tyre për ti bërë publike emrat e Thaçit dhe Veselit si të dyshuar, dhe së dyti, ka pasur përpjekje për të ndërhyrë në punën e gjykatës për të cilin publiku nuk është i vetëdijshëm dhe kjo mund të çojë në pengimin e drejtësisë.

“Përshkrimi i aktakuzës është mjaft i rrallë, por prodhon informacione të reja: se të dyshuarit u përpoqën, dhe ende po përpiqen të pengojnë dhe minojnë punën e Dhomave të Specializuara”, thotë ai.

Thaçi më parë udhëhoqi një fushatë për të shfuqizuar Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kuvendin e Kosovës, i cili themeloi Dhomat e Specializuara në vitin 2015. Në vitin 2017, Presidenti i Kosovës e etiketoi gjykatën si “padrejtësinë dhe fyerjen më të madhe që mund t’i bëhej Kosovës dhe popullit të saj.”

Sidoqoftë, njoftimi për shtyp i ZPS sugjeron që këto përpjekje nuk përfunduan me përpjekje të dështuara për të mbajtur seancën e Kuvendit  për shpërbërjen e Gjykatës në Dhjetor të viti 2017. “Besohet se Z. Thaçi dhe Z. Veseli ta kanë realizuar një fushatë të fshehtë për të shfuqizuar ligjin mbi themelimin e Gjykatës dhe përndryshe të pengojnë punën e Gjykatës në një përpjekje për të siguruar që ata të mos përballen me drejtësinë, “thotë ajo.

Sipas Cross, deklarata mund të sugjerojë që hetimet për ndjekjen penale të Thaçit dhe Veselit për pengimin e punës së Dhomave të Specializuara tashmë janë duke u zhvilluar. “Unë mendoj se formulimi është interesant, sepse ZPS përmend një” fushatë të fshehtë”, dhe nuk kishte asgjë të fshehtë për atë që bënë në dhjetor të vitit 2017. Ata duket se sugjerojnë se ka diçka që po ndodh në ndërkohë e që nuk është aq e qartë,” thotë Cross.

Në anën tjetër, Qerkini beson se kjo deklaratë nga ZPS është kontradiktore. “Gjykata nuk mund të shfuqizohet (përmbyset) në fshehtësi,” thotë ai. “Për të bërë një gjë të tillë kërkohet një shumicë prej dy të tretave të votave në Kuvendin e Kosovës dhe shumë procedura burokratike.”

Sipas mendimit të Cross, publikimi i aktakuzës së mundshme të Thaçit është një veprim politik – jo një ndërhyrje në politikën e brendshme të Kosovës, por çështje mbijetese për gjykatën. Kjo është, pjesërisht, një çështje e kohës dhe parave: Fillimisht Dhomave të Specializuara iu dha një mandat pesë-vjeçar i cili do të skadojë këtë vit, dhe shqetësimet buxhetore për rinovimin e saj dhe funksionimin e vazhdueshëm mund të kenë luajtur një rol në shpalljen e aktakuzës.

“Do të kishte qenë një problem i vërtetë për Gjykatën të kalonte në raundin e dytë të negociatave buxhetore dhe të mos kishte asgjë konkrete nga ana e saj,” thotë Cross, duke shtuar se jetëgjatësia e Dhomave të Specializuara ka të ngjarë të jetë midis 10 dhe 15 vjet.

Nga ana tjetër, Heinze, profesor i asociuar në Universitetin Goettingen, beson se mund të ketë më shumë arsye strategjike pas shpalljes së aktakuzës e që mund të ketë pasoja të rëndësishme juridike dhe politike.

Ai sqaron se deklarata në vetvete nuk është aq e detajuar sa të konsiderohet një publikim apo shpallje e aktakuzës. Sikur të ishte diçka e tillë atëherë ZPS do të kishte shkelur rregullat e veta të procedurës që ndalojnë bërjen publike të aktakuzës para se të konfirmohet nga një gjykatës i procedurës paraprake.

Heinze nënvizon dy arsye të mundshme pse aktakuza e ngritur është bërë publike. E para është që gjykata mund të jetë duke e përdorur publikimin si një masë të veçantë hetimore të destinuar për të siguruar më shumë prova, ndërsa e dyta është se mund të jetë një shembull i “publicitetit të synuar”, një mekanizëm i përdorur nga zyrat e prokurorisë për të formëzuar perceptimin e publikut.

“Kjo ndodh kur organet e drejtësisë penale i drejtohen mediave në një hetim të vazhdueshëm për të instrumentalizuar procedurat në një qëllim të caktuar,” shpjegon ai. “Prokurorët janë në gjendje të formësojnë opinionin publik jo vetëm për luftimin e krimit, por edhe për individë të veçantë që mund të jenë nën hetim dhe ndjekje penale.”

Zgjedhje të tilla kanë kuptim për një prokurori të dominuar nga amerikanët dhe përshtatet mjaft mjeshtërisht me Standardet Kombëtare të Prokurorisë së Sh.B.A., të cilat i lejojnë një prokurori që publikisht të komentojë sipas bindjeve të tij se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar.

Sipas Heinze, nëse publikimi është i ligjshëm, atëherë motivi që qëndron prapa tij bëhet i parëndësishëm. “Ekziston një mundësi e caktuar që ky ishte një veprim politik,” thotë ai. “Por prokurorët kanë të drejtë për këtë, veçanërisht kur janë në pyetje të dhënat e tyre  personale dhe ekzistenca e zyrës së tyre.”

Sidoqoftë, deklarata të tilla mund të jenë të rrezikshme: “Deklaratat publike të një prokurori mund të shkatërrojnë reputacionin e një personi, të paragjykojnë të drejtën e tij ose të saj për një gjykim të drejtë dhe të minojnë respektimin e publikut për mënyrën e administrimit të ligjit penal,” thotë Heinze. “Për këtë arsye, shumica e sistemeve juridike e rregullojnë ekspozenë mbrojtëse nga prokurorët përmes kodeve të etikës dhe kështu bëjnë edhe Dhomat e Specializuara.”

Kodi i Sjelljes Profesionale të Gjykatës i ndalon prokurorët të japin deklarata publike, të cilat do të zbulonin informacione konfidenciale për njerëzit e përfshirë në proces, ose të publikonin materiale të cilat, apo kanë të ngjarë se, do të paragjykonin këto procedura. Fakti që natyra dhe qëllimi i deklaratës është i paqartë e vështirëson këtë edhe më shumë.

“Publiciteti negativ i procedures paraprake mund të rrezikojë prezumimin e pafajësisë,” thotë Heinze. “Kjo duhet të peshohet kundër të drejtës së informacionit, të cilit i takon publiku i gjerë.”

Heinze vëren se ka një numër dërrmues të faktorëve që japin indikacione në lidhje me konkuzionin se kjo deklaratë nuk do të cenonte të drejtën për një gjykim të drejtë për Thaçin dhe Veseli.  Ai argumenton se vitet me spekulime për përfshirjen e Thaçit në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, seriozitetin e krimeve të listuara, rëndësinë e Thaçit dhe Veselit në skenën politike, numrin e viktimave të përmendura dhe madje edhe faktin që aktakuza është shpallur ndërkohë që presidenti ishte në rrugë e sipër  për një takim në Shtëpinë e Bardhë me Vuçiqin, krejt kjo shkon në favor të publikimit të informacionit në lidhje me aktakuzën.

“Marrë parasysh këta faktorë, si dhe diskrecionin që ka ZPS në raste të tilla, nuk është bërë asnjë shkelje,” deklaron Heinze. Nëse publikimi i informacionit mbi aktakuzën nënkupton shkelje e të drejtave të njeriut apo jo, Qerkini pretendon se njoftimi i tij është bërë me një pandershmëri. “Individi i akuzuar nuk mund të informohet për aktakuzë përmes mediave, veçanërisht kur aktakuza nuk është konfirmuar zyrtarisht nga vetë gjykata,” thotë ai.

Marrë parasysh nevojën për të respektuar të drejtat e të dyshuarve, instinkti i paracaktuar i një prokurori është të flasë sa më pak të jetë e mundur për ti dhënë fund shqetësimeve nga publiku se ata po përpiqen të shtyjnë një axhendë të caktuar, thotë Cross. Ky është një problem me të cilin Gjykata tashmë është ballafaquar për shkak të akuzave për paragjykime etnike që rrjedhin nga juridiksioni i saj që mbështetet në ndjekjen penale vetëm ndaj ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lloji i qasjes që do t’i nderlidhë komunitetet në Kosovë me punën e Gjykatës është tepër i kushtueshëm dhe i vështirë që të bëhet i suksesshëm pa ndonjë lidhje pozitive me mediat dhe shoqërinë civile në terren, thekson Cross. Sidoqoftë, ai mendon se kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur problemin e legjitimitetit të gjykatës dhe për t’i ndihmuar viktimat dhe dëshmitarët të kuptojnë procesin.

“Është njësoj si të thuash, ‘Unë do të investoj një milion dollarë në ndërtimin e një termocentrali‘ dhe pastaj ti harxhoj pesë cent në linjen e energjisë që e lidh atë me rrjetin ndërkombëtar,” thotë Cross. “Nëse nuk lidhesh me njerëzit, kjo e  kufizon vlerën e një institucioni.”