Foto: Ilustrim

Policia arreston për marrje ryshfeti një gjykatës dhe një polic

Policia e Kosovës ka arrestuar një gjyqtar dhe një zyrtar policor të dyshuar për veprat penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti dhe ushtrim i ndikimit.

Sipas komunikatës së Policisë, gjatë aplikimit të masave dhe veprimeve hetimore janë siguruar dëshmi të bazuara për inkriminimin e dy zyrtarëve –  një gjyqtari në Departamentin Penal të Gjykatës në Skenderaj dhe të një zyrtari policor.

Si rrjedhojë e operacionit të sotëm, zyrtari policor menjëherë është suspenduar dhe në kuadër të veprimeve të mëtejme është njoftuar dhe përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), pas pesë muajve të zhvillimit të hetimeve profesionale dhe aplikimit të masave të përcaktuara sipas KPPRKS-së, nga hetuesit rajonal për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë  ka siguruar informacione relevante që kanë pasqyruar abuzimin e funksioneve gjyqsore, gjegjësisht veprime që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit”, thuhet në njoftim.

Dy personat e dyshuar dhe tani më të arrestuar  janë intervistuar dhe në konsultim me prokurorin kompetent të njëjtëve iu është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.