Pejë: 15 vjet burg për vrasjen e vëllait në malet e Rugovës

Gjykata e Pejës sot ka shpallur fajtor A.N. për vrasjen e vëllait të tij, duke e dënuar me 15 vite burgim.

Rasti ka ndodhur më 26 prill të vitit të kaluar në fshatin Rekë e Allagës në Rugovë të Pejës.

I akuzuari duke tejkaluar mbrojtën e nevojshme ka vrarë vëllain e tij me bisht të sëpatës duke e goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, ku pas aktit  së bashku me të miturin A.N. largohen nga vendi i ngjarjes duke lënë viktimën në gjendje të rëndë shëndetësore.

Viktima si pasojë e goditjes në kokë është gjetur i vdekur pas dy ditësh  në largësi 1200 metra në vijë ajrore nga vendi ku ka filluar përleshja fizike.

Sipas komunikatës të Gjykatës, rasti ka ndodhur për shkak të raporteve jo të mira familjare lidhur me kontestin pronësor për pronë-mal.

“I pandehuri së bashku me të miturin A.N. shkojnë në bjeshkë për të marr dru, pasi që i prejnë dhe i marrin drutë, në momentin kur i pandehuri me të miturin kanë dashtë t’i largojnë trupat nga traktori, viktima i cili paraprakisht kishte lajmëruar policinë për prerje të trupave nga i pandehuri dhe i mituri, e pasi që polica nuk i përgjigjet, viktima ju del përpara të pandehurit dhe të miturit, me ç’rast viktima e sulmon me sëpatë të pandehurin, e ky i fundit arrin që t’ia marr sëpatën nga dora, e në këtë rrahje merr pjesë edhe i mituri A.N., pasi që përfundon rrahja i pandehuri vazhdon dhe me bisht të sëpatës – mjetë i fort mprehtës, e godet viktimën ne kokë dhe në pjesë tjera të trupit” thuhet në komunikatë.

Ndërsa të miturit A.N. për vepër penale pjesëmarrje në rrahje i është shqiptuar masa edukative mbikëqyrja e shtuar nga ana e prindit, prindit adoptues ose kujdestarit në kohëzgjatje prej 1 viti.