OAK nis Kuvendin me një minutë heshtje në nderim të avokatëve që humbën betejën me COVID-19

Oda e Avokatëve të Kosovës është duke mbajtur Kuvendin e Rregullt të punës.

Para fillimit të punës së këtij Kuvendi, Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupi kërkoi nga të pranishmit që të mbajnë një minutë heshtje në nderim të të gjithë kolegëve të tyre avokatë të cilët kanë humbur betejën me virusin COVID-19.

“Në lamtumirën e fundit për ta, të cilët për ne kanë qenë kolegë të mirë të respektuar nga ana jonë, në shenjë respekti për kolegët dhe familjet, kërkojë që të mbajmë një minutë heshtje”, tha Ejupi.

Qysh në hapje të këtij Kuvendi, me vota të hapura delegatët zgjodhën Kryesinë e Punës që do të udhëhiqet nga avokatët: Fadil Sinani, Nadire Hoxha, Fanol Krasniqi dhe Avni Leci.

Si pika të rendit të ditës së këtij Kuvendi do të jetë raportimi për aktivitetet e OAK-së për vitin 2020, shqyrtimi i raportit të auditmit financiar dhe raportit të Këshillit Mbikëqyrës për vitin 2020 si dhe shqyrtimi i propozim buxhetit të OAK-së për vitin 2021.

Përpos rendit të ditës së përcaktuar, kryetarët e tri degëve regjionale të Mitrovicës, Prishtinës dhe Pejës, kanë propozuar që si pikë e rendit të ditës të vendoset dhe pika e shkarkimit të Kryetarit dhe Nënkryetarit të Odës së Avokatëve, Behar Ejupi dhe Naim Rudari.

Kujtojmë se kryetari dhe nënkryetari i OAK-së u zgjidhën në Kuvendin Zgjedhor i cili u mbajt në muajin mars të vitit të kaluar.

Oda e Avokatëve të Kosovës bëhet me kryetar të ri