Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt, Oda e Avokatëve mbron Besnik Berishën

Këshilli drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës ka kërkuar nga prokurori disiplinor i OAK-së që ta trajtojë me urgjencë Iëndën disiplinore ndaj avokatit Besnik Berisha.

Ky këshill i ka dalë në mbrojtje avokatit Besnik Berisha. Ky i fundit është avokat i të akuzuarit Shaban Gogaj, të akuzuarit për vrasjen e Agonis Tetajt më 23 shtator të vitit 2018 në Deçan.

OAK ka kërkuar nga Këshillit Gjyqësor i Kosovës që të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së aktvendimeve në lidhje me shqiptimin e gjobës dhe përjashtimin e avokatit Besnik Berisha nga mbrojtja e të pandehurit në atë çështje penale.

Këshilli madje ka kërkuar nga Gjykata e Pejës, respektivisht kryetari i saj, që të rishqyrtojë aktvendimet e marra dhe të iniciojë procedurë disiplinore ndaj kryetares së trupit gjykues Violeta Husa-Rugova për rastin e avokatit Berisha.

“Oda e Avokatëve të Kosovës, deri në njoftimin nga Prokurori Disiplinor i OAK-së, nuk do të bëjë caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare në kërkesën eventuale nga Gjvkata Themelore në Pejë për këtë çështje penale, për të akuzuarin Shaban Gogaj”, thuhet në vendim.

Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës thekson se ka shqyrtuar kërkesën e paraqitur nga avokati Besnik Berisha për trajtimin e rastit të shqiptimit të gjobës dhe përjashtimin nga mbrojtja e mëtutjeshme e të pandehurit Shaban Gogaj.

Oda shton se ka ardhur në përfundim se kryetarja e trupit gjykues ka marrë aktvendime që dëmtojnë prestigjin dhe nderin e avokatisë si dhe kufizojnë ndjeshëm ushtrimin e pavarur të profesionit.

“Në pritje të veprimeve të ndërmarra e të propozuara nga Këshilli Drejtues, si dhe vendimit nga Gjykata e Apelit, pas shqyrtimit të ankesës së avokatit Besnik Berisha, Oda e Avokatëve, do të vlerësojë dhe do të ndërmarrë veprime të mëtejshme varëisisht nga epilogu i procedurës disiplinore brenda OAK-së, e poashtu OAK, nuk do të caktojë avokat sipas detyrës zyrtare për të akuzuarin z. Shaban Gogaj, lidhur me këtë çështje penale në rast të kërkesës eventuale nga Gjykata Themelore në Pejë”, thuhet ne arsyetimin e vendimit të Këshillit Drejtues të OAK-ut.

Më 28 qershor të këtij viti, Gjykata e Pejës ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.

“Përjashtohet nga gjykimi avokati Besnik Berisha saktësisht nga e drejta për mbrojtjen e Shaban Gogajt dhe njoftohet i akuzuari se mund të angazhojë një mbrojtës tjetër menjëherë në të kundërtën nëse nuk e cakton, do të i caktohet mbrojtës sipas detyrës zyrtare”, tha gjyqtarja Violeta Husaj Rugova.

Në mars të këtij viti, KALLXO.com ka raportuar për fotografinë ku shiheshin prokurori Agron Uka e avokati Besnik Berisha, fotografi kjo e cila u publikua në KALLXO.com disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt.