Më 14 dhjetor mbahet konferenca e tretë e Gjykatës Speciale për çështjen kundër Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit

Gjykata Speciale në Hagë ka caktuar konferencën e tretë për të shqyrtuar ecurinë e çështjes në lidhje me akuzat kundër Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit.

Konferenca është planifikuar të mbahet të enjten, më 14 dhjetor të këtij viti, në orën 11:30.

Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari u arrestuan më 5 tetor të këtij viti, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Pas arrestimit, ata u dërguan në qendrën e paraburgimit.

Aktakuza kundër tyre u konfirmua më 2 tetor 2023 dhe u bë publike më 6 tetor 2023. Ata po ngarkohen me dy akuza për vepra penale kundër rendit publik: Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim gjatë procedurave penale.

Të dy të akuzuarit janë dyshuar për përpjekjen e tyre për ndikuar në dëshminë e një dëshmitari në gjyqin e Dhomave të Specializuara.

Sipas aktakuzës, “Dëshmitari 1” është person që i ka dhënë ose ka të ngjarë t’i japë Task Forcës Hetimore Speciale (“TFHS”), ZPS-së dhe/ose cilitdo trupi gjykues të DHSK-së, informacion në lidhje me krime ose vepra penale të përfshira në juridiksionin e DHSK-së.

Sipas aktakuzës, midis më së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Januzi dhe Bahtjari u takuan secili më vete me Dëshmitarin 1 për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, përfshirë përmes përdorimit të kërcënimit të rëndë.

Më tej aktakuza deklaron se dy të akuzuarit, në bashkëkryerje me individë të tjerë, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale me Dëshmitarin 1. Sipas aktakuzës, kjo sjellje tregon se Januzi dhe Bahtjari synonin ta frikësonin Dëshmitarin 1 dhe të pengonin persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në paraqitjen e tyre të parë më 9 tetor 2023, ata kanë deklaruar pafajësinë në lidhje me të gjitha pikat e aktakuzës.

Aktakuza përmban këto pika thelbësore:

Kërcënimi dhe Veprimi i Përbashkët: Sipas aktakuzës, Januzi dhe Bahtari janë akuzuar për tentativën për të penguar persona zyrtarë, përfshirë gjykatës, prokurorë, dhe figura të tjera të drejtësisë, në kryerjen e detyrave zyrtare. Sipas aktakuzës, kjo është bërë përmes kërcënimit të rëndë dhe pjesëmarrjes në një grup personash për të ndikuar negativisht në detyrat e personave zyrtarë. Aktakuza argumenton se Januzi dhe Bahtjari, në bashkërendim me të tjerët, kanë tentuar të pengojnë persona zyrtarë në detyrat e tyre zyrtare midis datave 5 dhe 12 prill 2023.

Aktakuza tutje shtjellon edhe pikën e kërcënimit dhe veprimit individual, se Januzi dhe Bahtjari janë akuzuar se kanë takuar dëshmitarin 1 dhe kanë tentuar që i njëjti të mos jepte dëshmi, të jepte dëshmi të rreme, ose të tërhiqte dëshminë në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara. Ata kanë shfaqur sjellje dhe gjuhë kërcënuese për ta frikësuar dëshmitarin.

Për pikën e aktakuzës lidhur me Frikësimin gjatë procedurës penale: Januzi dhe Bahtari janë akuzuar se kanë përdorur kërcënime të rënda ose ndonjë mënyrë tjetër të detyrimit për të ndikuar dëshmitarin që të mos jepte deklaratë të vërtetë kundrejt policisë, prokurorit, ose gjykatësit lidhur me procedurat penale.

Aktakuza përcakton se Januzi dhe Bahtari mbajnë përgjegjësi penale individuale për veprat penale të përfshira në akuzë, përmes formave të përgjegjësisë penale të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale (KPK) dhe ligjet relevante.

Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se e merr jashtëzakonisht seriozisht frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve, dhe pengimin e drejtësisë, dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës u themeluan në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, një amendamenti kushtetues, si dhe në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Ato janë institucione të përkohshme me mandat dhe juridiksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, ose kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës kanë seli në Hagë, Holandë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.