Lirohet nga akuza, togeri i Policisë

Darko Gusniq toger në Stacionin Policor Veriu në Mitrovicë sot u lirua për të dytën herë nga Gjykata e Mitrovicës lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokati Agim Lushta, mbrojtës i Darko Kusniqit.

Prokuroria e Mitrovicës, Gusniqin po e akuzonte për kohën sa ishte zëvendëskomandant i Stacionit Policor-Veriu në Mitrovicë.

Aktakuza thotë se Gusniq gjatë kohës sa ishte zëvendëskomandant, nuk kishte verifikuar shpenzimet e derivateve të automjeteve zyrtare të Stacionit Policor Veriu, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumë  prej 9 mijë e 146 euro e 1 cent.

Aktakuza thotë se nga data 1 janar 2011 e deri në prill të vitit 2012, i akuzuari Darko Gusniq duke qenë person zyrtar-zëvendës komandant në Stacionin Policor Veriu në Mitrovicë nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim që të përfitoi dobi pasurore personi tjetër.

Sipas aktakuzës Gusniq, nuk i ka verifikuar shpenzimet  e derivateve për 17 automjetet zyrtare të Policisë të mbushura nga zyrtari Dragan Kompiroviq.

Gjykata e Mitrovicës me 10 korrik 2019 e ka liruar nga akuza Kusniqin në mungesë të provave.

Ndërsa gjykata e Apelit më 7 tetor 2019, kishte vendosur që këtë çështje penale ta kthejë në rigjykim për tu dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit Branislav Dragoviç.