I akuzuari për 665 fara të kanabisit deklarohet për fajësinë

 

Rrahim Gashi, i akuzuar nga Prokuroria e Mitrovicës për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, është deklaruar rreth fajësisë.

Në seancën e mbajtur sot i akuzuari u deklarua se ndihet i pafajshëm lidhur me veprën penale.

Aktakuza në këtë rast përfaqësohet nga prokurorja Fetije Bajrami Shala.

Rrahim Gashi akuzohet në nëntor të vitit 2011 në Skenderaj, në banesën e tij ka blerë dhe ka shitur në mënyre te paautorizuar substanca narkotike të cilat janë shpallur si substanca të rrezikshme.

“I pandehuri ka blerë marihuanë dhe e ka mbajtur në banesën e tij me qëllim që të njëjtën ta shesë e të përfitojë materialisht”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Kurse Njësiti i Hetimeve të Sektorit Antidrogë në banesën e të pandehurit kishte gjetur dhe konfiskuar fara të marihuanës me sasi prej 665 fara dhe 818.62 gr.

Gashi me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe e substancave psikotropike.

Gjykatësi Beqir Halili, njoftoi të pandehurin dhe avokatin e tij Agim Lushta, se në afat prej 30 ditëve mund të paraqesin kundërshtimet në lidhje me aktakuzën.

Seanca e shqyrtimit të dytë nuk do të mbahet, ndërsa lidhur me kundërshtimet nëse do të ketë, gjykatësi Halili do të vendos jashtë seancës gjyqësore.