Gjykimi i policit për keqtrajtim, i dëmtuari: Më tha se do t'ma shkrepte një plumb në kokë

I dëmtuari A.P. ka rrëfyer në Gjykatën e Mitrovicës atë që pretendon se përjetoi në stacionin e policisë Jugu në Mitrovicë në tetor 2016 nga polici Daut Syla.

Prokuroria po e akuzon policin Daut Sylaj për keqtrajtim gjatë ushtrimit të  detyrës zyrtare të tashmë të dëmtuarit A.P.

Gjatë dëshmisë së tij A.P. tha se më 6 tetor 2016 kishte qenë në stacionin policor për të dhënë deklaratë lidhur me një rast tjetër.

Sipas tij, pasi kishte dhënë deklaratën zyrtari policor i kishte thënë ta priste patrullën e Policisë për ta dërguar në shtëpi.

Në Gjykatë i dëmtuari tha se deri sa ishte duke e pritur patrullën e Policisë kishte shkuar polici Daut Sylaj duke e pyetur me zë të lartë se çfarë kishte deklaruar te kolegu i tij.

Tutje i dëmtuari deklaroi se nuk i ishte kujtuar se çfarë kishte deklaruar dhe se i akuzuari Sylaj nuk i kishte besuar dhe e kishte goditur pas kokës.

“Nuk më kujtohet as mua se çfarë kam deklaruar dhe Daut Sylaj nuk më besoi në këtë rast dhe filloi me ton të lartë duke më goditur prapa kokës dhe ashtu duke më goditur më ka futur sërish në stacion policor”, tha A.P.

Po ashtu i dëmtuari deklaroi se përveç goditjeve i akuzuari e kishte kërcënuar me fjalët: “Do ta nxjerr shpirtin”, “do të mbys” dhe “do ta dha një plumb kokës”.

Gjithashtu i dëmtuari deklaroi se kishte qenë i shokuar nga sjellja brutale e policit që e kishte goditur dhe policëve të tjerë që e kishin përqeshur kur ka bërtitur gjatë goditjeve.

I dëmtuari tha se në stacionin policor e kishin mbajtur rreth një orë e më pas e kishin lënë të shkonte në shtëpi.

Ndërsa pasi kishte shkuar në shtëpi kishte parë që kishte gjak në hundë, vesh dhe kokë.

Ndërsa dëshmitari Shaip Hasani, ish-zyrtar policor, tha se atë natë e kishte parë policin Sylaj të shoqëronte dikënd në stacion dhe se nuk dinte më shumë rreth këtij rasti, sepse tha se ka dalë nga stacioni dhe kishte shkuar për patrullë.

Seanca e radhës u caktua për më 19 tetor 2021, kur do të dëgjohen 3 dëshmitarë.