Përfundon rigjykimi ndaj zv/komandantit të Policisë së Mitrovicës së veriut

Darko Kusniq toger në Stacionin Policor Veriu në Mitrovicë sot u ulë për të  dytën herë në Gjykatën e Mitrovicës për t`u ballafaquar me akuzën e prokurorisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria e Mitrovicës, Kusniqin po e akuzon për kohën sa ishte zëvendës-komandant i Stacionit Policor-Veriu në Mitrovicë.

Aktakuza thotë se Kusniqi gjatë kohës sa ishte zëvendës –komandant, nuk kishte verifikuar shpenzimet e derivateve të automjeteve zyrtare të Stacionit Policor Veriu duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumë  prej 9 mijë e 146 euro e 1 cent.

Sipas udhëzimit të gjykatës së Apelit në gjykimin e sotëm, u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit  Branislav Dragovic  ish-komandant i stacionit Policor Veriu dhe pikës kufitare.

Dragoviq, në seancën e sotme deklaroi se ai sa ishte komandant merrej me organizimin e punëve në Stacionin Policor.

Ai deklaroi se në atë periudhë kishte edhe zëvendës komandantin të cilit i delegonte disa punë si ndihmës i shefit të operativës, shefit të logjistikës.

Tutje dëshmitari Dragoviq deklaroi se zëvendës-komandanti dhe zyrtarët e tjerë nuk kanë pasur obligim të bëjnë raporte ditore lidhur me punën e tyre.

Po ashtu dëshmitari foli edhe lidhur me shpenzimet e derivateve të  automjeteve zyrtare.

“Çdo automjet i cili është përdorur ka pasur evidencë e vet se ne cilën kohë ka dalur dhe sa kilometra i ka bërë dhe në atë periudhë për mbajtjen e evidencës ka qenë i caktuar personi zyrtar me mbiemrin Kompiroviq”.

Në lidhje me të akuzuarin Gusniq ai deklaroi se “Kur ka qenë zëvendës komandant Gusniq i ka kryer të gjitha punët sipas rregullores”.

Ndërsa në fund të dëshmisë së tij dëshmitari Dragoviq deklaroi se “zëvendës-komandanti nuk ka qenë i ngarkuar për verifikimin e këtyre shpenzimeve sepse për këtë ishte zyrtari i cili në mënyrë periodike ka raportuar.

Ndërsa i akuzuari Dargo Kusniq deklaroi se do të mbrohet në heshtje.

Aktakuza thotë se nga data 1 janar 2011 e deri në prill të vitit 2012, i akuzuari Darko Gusniq duke qenë person zyrtar-zëvendës komandant në Stacionin Policor Veriu në Mitrovicë nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim që të përfitoi dobi pasurore personi tjetër.

Sipas aktakuzës Gusniq, nuk i ka verifikuar shpenzimet e derivateve për 17 automjetet zyrtare të Policisë të mbushura nga zyrtari Dragan Kompiroviq

Gjykata e Mitrovicës më 10 korrik 2019 e ka liruar nga akuza Gusniqin në mungesë të provave.

Ndërsa gjykata e Apelit më 7 tetor 2019, kishte vendosur që këtë çështje penale t’a kthejë në rigjykim për tu dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit Branislav Dragoviq.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 4 tetor në ora 12:00.