Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, hetues të Krimeve ekonomike e korrupsionit të akuzuar për ryshfet, dalin para gjykatës

Dy hetuesit e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, të akuzuar nga Prokuroria për marrje të ryshfetit janë ulur sot në bankën e të akuzaurve.

Hetuesi Menxhiqi, poashtu akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

I akuzuari Lavdim Osmani, nuk pranoi asnjërën nga pikat e dispozitivit të aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

“Nuk i pranoj pikat e dispozitivit të aktakuzës”, tha i akuzuari Osmani.

Ndërsa i akuzuari Lutfi Menxhiqi, pranoi fajësinë për armën pa leje.

“Sa i përket veprës penale të përshkruar në pikën 6 të dispozitivit të aktakuzës e pranoj aktakuzën, por dua të shtoj se këtë armë e kam pas suvenir të luftës, por e kam pas në posedim, dhe kam kërku legalizimin por ajo s’ka ndodhë”, tha i akuzuari Menxhiqi.

Kujtojmë se kjo seancë fillestare pati dështuar për tre herë radhazi dhe shkak i mos mbajtjes së seancës ishte mungesa e të akuzuarit Lutfi Menxhiqi. Kjo për arsye se i njëjti ishte infektuar me COVID-19.

Sipas aktakuzës Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e personave zyrtarë – hetues në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishin pranuar ryshfet që të  mos veprojnë sipas detyrës zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit paraprakisht janë takuar në një kafiteri me Dritëro Huruglicën dhe kanë arritur marrëveshje që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit.

Sipas aktakuzës të njëjtit sapo kishin nga kafiteria kanë shkuar afër Gjykatës Kushtetuese, janë takuar me Driton Berishën dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1,500 euro, në prezencë të Dritëro Huruglicës, me ç’rast së bashku kanë arritur marrëveshje që të akuzuarit nuk do të ndërmarrin veprime hetimore ndaj lojërave të fatit dhe kanë premtuar bashkëpunim të kundërligjshëm në të ardhmen, në këmbim të marrjes së ryshfetit, edhe pse kanë qenë në dijeni se lojërat e fatit kanë qenë të ndaluara me ligj.

Sipas aktakuzës, ky ryshfet ndahet në mes të akuzuarve në dy pjesë nga 1,250 euro dhe 500 euro ia dërgojnë kolegut të tyre Faton Zabergja për një rast tragjik që i kishte ndodhur.

Për këto veprime akuzohen për veprën penale të kryer në bashkëkryerje “marrje ryshfeti”.

Sipas aktit akuzues, Lavdim Osmani më 9 janar 2020, rreth orës 18:00, në Prishtinë, në rrugën C, në cilësinë e personit zyrtar – hetues në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pranon ryshfet që mos veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani, në një restorant në rrugën Prishtinë Lipjan, ia dorëzon dëshmitarit bashkëpunues Dritëro Huruglicës, paratë në vlerë prej 3,000 euro, ky i fundit niset me veturë menjëherë dhe vazhdon për në Prishtinë, lagje Mati 1, në rrugën C, ku i pandehuri ishte duke e pritur, hynë në veturë dhe nga Huruglica i merr paratë në vlerë prej 3,000 euro.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.

Tutje, me 5 shkurt 2020, Lavdim Osmani akuzohet se rreth orës 17:30, në Prishtinë, në rrugën C, Mati 1, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar ryshfet që mos të veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që nën masat e simulimit të  veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani ia dorëzon paratë prej 3,000 euro Dritëro Huruglicës, pastaj ky i fundit niset menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartëmonedhave i ndërron, ndërsa një pjesë të parave në vlerë prej 1,300 euro ia dorëzon të pandehurit Lavdim Osmani dhe të tjerat i ndal për vete, e pasi i pandehuri Lavdim Osmani del nga vetura menjëherë arrestohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe në xhepin e tij gjenden paratë të cilat ishin nën masën e simulimit.

Për këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.

Sipas aktakuzës, Lutfi Menxhiqi akuzohet se më 4 dhjetor 2019 ka keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, ashtu që pasi ishin marr vesh paraprakisht në një takim në fillim të muajit nëntor 2019 në Prishtinë, në një kafiteri, me dëshmitarin Driton Berishën dhe Dritëro Huruglica, për t’i njoftuar për aksionet e policisë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i dërgon informata dëshmitarin bashkëpunues Dritëro Huruglica me qëllim që të përfitojë dobi pasurore.

Në aktakuzë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që me 4 dhjetor 2019, Huruglica e thërret në telefon të pandehurin dhe i kërkon informata nëse ka filluar ndonjë kontroll nga policia ndaj lojërave të fatit, vetëm pas pak kohës në orën 21:23, i pandehuri nga telefoni i tij personal, përmes rrjetit “Viber”, i dërgon mesazh Dritëro Huruglicës duke e njoftuar se policia ka filluar kontrollin në Fushë Kosovë duke i shkruar: “Dritëro po dal vet, po kqyri se sot i fushë Kosovës pom doket paska hi s`iu kishin dhanë kompetencë edhe stacioneve mo me hi në do raste tani i dorëzojnë te na, po unë po nisna menjëherë po kqyri çka ka”, e krejt kjo edhe pse i pandehuri e dinte se lojërat e fatit ishin të ndalura me ligj.

Për këtë akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Tutje në aktakuzë thuhet se Menxhiqi, me 5 shkurt 2020, në orën 22:40, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë,  në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar armë në shkelje të ligjit të zbatueshëm, në atë mënyrë që gjatë kontrollit sipas urdhër kontrollit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe zbatuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, te i pandehuri janë gjetur armë automatike të zjarrit, 2 pushkë automatike AK-47, numër serik 0462-89 dhe numër serik 85NU2414, me dy karikatorë dhe të gjitha janë konfiskuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Për këtë akuzohet për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykata mori aktvendim, ku aprovohet pranimi i fajësisë për të akuzuarin Lutfi Menxhiqi për veprën penale të përshkruar në pikën 6 të dispozitivit te aktakuzës, që ka të bëjë me veprën penale, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK. Ndërsa u refuzua kërkesa e mbrojtësve për ndërprerjen e arrestit shtëpiak në këtë fazë të procedurës, por kjo mbeti të shqyrtohet jashtë shqyrtimit, çoftë atij gjyqësor, të dytë apo pas mbajtjes së arrestit shtëpiak.

Shqyrtimi i radhës për këtë seancë, do të mbahet me 30 nëntor në ora 13 e 10.