Kryeprokurori i Pejës paralajmëron hetim të pasurisë së Sokol Bashotës

I pari i Prokurorisë së Pejës, Agim Kurmehaj, ka folur për herë të parë për rastet në të cilat akuzohen zyrtarët e lartë komunalë.

Ai ka folur për aktakuzat e ngritura nga Prokuroria e Pejës kundër Sokol Bashotës, Zenun Elezajt dhe krerëve të tjerë të komunave që janë pjesë kompetencës së Prokurorisë së Pejës.

Kryeprokurori Kurmehaj deklaroi se shumë shpejt do të fillojnë që të zbatojnë kompetencat e zgjeruara për konfiskim të pasurisë dhe të fillojnë hetimet për pasurinë e zyrtarëve të lartë komunalë.

I pyetur nëse do ta hetojë pasurinë e ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashotës, dhe kryetarit aktual të kësaj Komune, Zenun Elezaj,  kryeprokurori deklaroi se shumë shpejt do të fillojnë trajtimin e pasurisë së tyre.

“Po, është një procedurë në bazë të ligjit, është obligim i yni që të iniciojmë këtë procedurë, deri me tani nuk është zbatuar ndonjë rast i tillë mirëpo në këto katër vitet e ardhshme është objektiv kryesor”, tha Kurmehaj.

Aktualisht Sokol Bashota po akuzohet nga Prokuroria e Pejës se ka bërë deklarim të rremë të pasurisë.

Sipas aktakuzës, Sokol Bashota akuzohet se nuk i ka deklaruar fare veturën “BMW X5”, në vlerë prej 65 mijë euro dhe as banesën prej 79 metrash katrorë në Prishtinë, edhe pse e ka pasur për detyrë ta bënte një gjë të tillë.

Bashota po ashtu akuzohet se nuk i ka deklaruar as veturën “Jeep” dhe as të ardhurat vjetore 3.000 euro në muaj nga qiraja e banesës.

Për këto akuza në shkurt të këtij viti ish kryetari i Klinës ishte dënuar nga gjykata e Pejës.

https://kallxo.com/lajm/denohet-sokol-bashota/

Kryeprokurori Kurmehaj tha se nuk kanë përvojë në zbatim të ligjit mbi prejardhjen  pasurisë mirëpo kanë guxim dhe gatishmëri të fillojnë ta zbatojnë këtë ligj.

“Që nuk kemi ndonjë përvojë të madhe në këto raste besoj tregohet me numrin e tyre mirëpo që ekziston guximi dhe gatishmëria të zbatohet ligji deri në fund”, tha Kurmehaj.

Përpos këtij rasti Krumehaj gjatë intervistës foli edhe për hetimet në rastin e kryeartit të komunës së Istogut, Haki Rugova.

Ai tha se rasti i Rugovës është drejtë përfundimit dhe brenda muajit do të merr një epilog në prokurorisë e që sipas tij pritet të jetë aktakuza.

“Çështja në rastin e Haki Rugovës është në fazën përfundimtare dhe ne presim shumë shpejtë që të merr epilogun final sepse prokuroja është duke punuar në këtë rast mirëpo mendoj se janë kryer hetime të gjithanshme dhe besoj në suksese të këtij hetimi. Meqenëse ne si prokuroi kemi pas pretendime për konflikt interesi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare besoj që epilogu fianl është aktakuza”, tha kryeprokurori.

Ai shtoj se deri me tani prokuroria e Pejës i ka akuzuar 3 kryetar të komunave ku dy prej tyre janë dënuar.

“Prokuroria e Pejës qëndron mirë me statistika për zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit. Duhet të punojmë në marrjen e iniciativës, deri me ta tani kemi ngritur 3 aktakuza kundër kryetareve ku dy prej tyre janë dënuar”, shtoj Kurmehaj.

Përpos tjerash ai shprehi pakënaqësinë e tij në lidhje me lartësinë e dënimeve që po shqiptohet në këto raste.

“Me dënimet nuk jemi të kënaqur por është çështje e gjykatës, neve na mbetet të ushtrojmë të drejtën e ankesës për këto dënime”, tha ai.

Intervistën e plotë me kryeprokurorin e Pejës mund ta ndiqni në ketë link.