KGjK: Do të iniciohet procedurë disiplinore nëse vërtetohet neglizhencë gjatë trajtimit të rasteve të më hershme ndaj të dyshuarve për vrasjen e 18 vjeçares

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), përmes një komunikate për media ka njoftuar se pas pranimit të informacionit nga Gjykata e Ferizajt lidhur me rastet e më hershme të të dyshuarve Arbër Sejdiu dhe Dardan Krivaqa për vrasjen e 18 vjeçares M.O, ka dërguar kërkesë tek autoriteti kompetent për të shqyrtuar neglizhencën eventuale lidhur me shqyrtimin e këtij rasti nga gjykata dhe gjyqtarët përkatës.

Pas analizimit të trajtimit të këtij rasti, KGjK ka deklaruar se në rast se vërtetohet se në trajtimin e rasteve të mëhershme penale ndaj të dyshuarve për vrasjen e 18 vjeçares, Arbër Sejdiu dhe Dardan Krivaqa, ndaj personave përgjegjës do të iniciohet procedurë disiplinore.

“Lidhur me këtë çështje, në rast se konstatohet neglizhencë nga ana e gjykatës përkatëse, atëherë autoriteti kompetent duhet të iniciojë procedurë disiplinore”, thuhet në komunikatën për media të KGjK-së.

KGjK është zotuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’u konstatuar se a ka pasur lëshime apo neglizhencë eventuale në trajtimin e rasteve të mëhershme penale ndaj dy të dyshuarve në fjalë.

“KGjK, zotohet se do t’i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të adresuar dhe trajtuar deri në fund çështjen në fjalë dhe në rast se konstatohet se ka lëshime apo neglizhencë, atëherë do të ndërmerren masa ndaj të gjithë zyrtarëve përgjegjës sipas procedurës disiplinore përkatëse”, thuhet në komunikatën për media të Këshillit Gjyqësor.

Në mesditën e së dielës në emergjencën e spitalit të Ferizajt, ishte dërguar pa shenja jete një vajzë e moshës 18 vjeçare.

Sipas Prokurorisë, dy personat e dyshuar Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, pasi e kanë lënë në spital viktimën, ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Për këtë rast, i dyshuari Arbër Sejdiu ishte arrestuar të dielën, ndërsa sot u arrestua edhe i dyshuari tjetër Dardan Krivaqa.

Tashmë ndaj të dyshuarit Arbër Sejdiu është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Një muaj paraburgim për A.S. i dyshuar për vrasjen e 18 vjeçares