Kërkohet paraburgim për të dyshuarit për grabitje në Vushtrri

Prokuroria e Mitrovicës ka kërkuar caktimin e paraburgimit për dy të dyshuarit E.H nga fshati Mihaliq i komunës së Vushtrrisë, dhe F.Z nga Vushtrria, për shkak të dyshimit se kanë kryer grabitje.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dyshuarit E.H dhe F.Z, me dhjetë gusht në Vushtrri, të pajisur me maska kanë hyrë në një filial të transferimit të parave, ku dëshmitares/të dëmtuarës F.F i kanë kërkuar para.

I dyshuari E.H i cili ka pasur të veshur jakne të gjelbër dhe duke mbajtur dorën e majtë në xhepin e majtë të jaknës dhe duke drejtuar dorën me jakne në drejtim të dëmtuarës, duke dhënë shenjë se ka armë, fillimisht i ka bërtitur të dëmtuarës për ti dhënë para, pastaj ka hyrë në arkë dhe nga aty ka marrë para në vlerë prej 250 €, si dhe ia ka hapur të dëmtuarës çantën duke i marrë portofolin, ndërkaq i dyshuari tjetër F.Z ka qëndruar brenda lokalit duke bërë roje.

Dy të dyshuarit janë arrestuar ditën e mërkurë, dhe me urdhër të prokurorit për momentin gjenden në ndalim 48 orësh.

Seanca për caktimin e paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës e  Mitrovicë.