Shpallja e Aktgjykimit ndaj Bledart Elshanit - 13.09.2019

Kërcënuesi i Haradinajt në emër të ISIS-it shpallet fajtor

Bledart Elashani, i akuzuar për kërcënimin e Ramush Haradinajt në emër të ISIS-it është shpallur fajtorë dhe është dënuar me 20 muaj burgim nga Gjykata e Prishtinës.

 

Për veprën penale ‘Shtytje për kryerjen e veprave terroriste’ gjykata Elshanin e dënoi me 18 muaj burgim. Ndërsa për veprën ‘armëmbajtje pa leje’ ju shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajsh.

Gjykata i shqiptoi dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 20 muajsh në të cilin do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe dënim plotësues konfiskimin e thikës, telefonit ‘’Iphone’’ dhe USB.

Në emër të paushallit gjyqësor dhe shpenzimeve procedural u obligua të paguajë shumën prej 100 euro 15 ditë pasi aktgjykimi ta marrë formën e prerë.

Bledart Elshanit ju vazhdua masa e paraburgimit deri sa aktgjykimi ta marrë formën e prerë por jo më shumë se kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar.

I njëjti u njoftua me të drejtën e apelimit ndaj verdikit gjyqësor në afat prej 15 ditës pas pranimit të të njëjtit.

Bledart Elshani, 23 vjeçar, në seancën e djeshme e ka pranuar para gjykatës se ka bërë shtytje për kryerjen e veprave terroriste dhe ka mbajtur armë pa leje.

Ndër tjerash, Prokuroria Speciale e akuzonte Elshanin edhe për kërcënim të tashmë kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj.

Elshani në seancën fillestare për këtë rast kishte thënë se është “penduar thellë për këto vepra”.

Mbrojtësi i tij, avokati Isak Hoxha, në seancën përfundimtare i propozoi gjykatës që ta aprovojë pranimin e fajësisë sepse i akuzuari e ka kuptuar rëndësinë e pranimit të fajësisë.

Prokurori Special Afrim Shefki, gjithashtu propozoi që të aprovohet pranimi i fajësisë sepse është dhënë në mënyrë vullnetare dhe në përputhje me të gjitha provat materiale.

Trupi gjykues special i udhëhequr nga gjykatësja Shadije Gërguri, i kanë aprovuar pranimin e fajësisë.

Prokurori i propozoi gjykatës që gjatë shqiptimit të dënimit t’i merren parasysh rrethanat rënduese si:  rrezikshmëria shoqërore e veprës penale, pesha e veprës penale dhe shqetësimi i shkaktuar te  qytetarët e Republikës së Kosovës, poashtu propozoi që thika e gjetur të konfiskohet, ndërsa si rrethanë lehtësuese të merret pranimi i fajësisë.

Ndërsa avokati Isak Hoxha, në fjalën përfundimtare i propozoi gjykatës që të akuzuarin ta dënojë nën minimumin e paraparë ligjor për veprat penale duke i marrë parasysh rrethanat lehtësuese si pranimin e fajësisë, moshën e re, shkollimin e ulët, gjendjen e rëndë financiare.

Sipas prokurorisë i akuzuari nga muajin gusht 2018 deri në muajin janar 2019, si administrator i kanalit ‘’Luajt e shkretëtirës’’ me anë të fotografive dhe incizimeve ka përkrahur haptazi veprimet e organizatës terroriste ‘’ISIS’’  për sulmet e fundit në botë dhe me datën 23.08.2018 kishte postuar foton e animuar me mbishkrim “Melodia e parapëlqyer e muhaxhidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”.

Gjithnjë sipas aktakuzës me datën 10.01.2019  në kanalin e tij ka postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj me mbishkrimin “Do të ju vijë fundi o taguta shqiptarë bi’idhnilahë’’, i bërë nga një person i maskuar në prapavijë të së cilit shihet flamuri i ISIS-it.

Pasi të akuzuarit Elshani i është ekzaminuar telefoni dhe një USB i janë gjetur fotografi, video me përmbajtje inkriminuese të kryera nga ISIS-i në luftën e Sirisë dhe Irakut.

Gjithnjë bazuar në aktakuzë me datën 11 janar 2019, pasi që i akuzuari u kontrollua nga ana e Policisë në Drenas rezultoi se kishte poseduar një armë të ftohtë thikë luftarake me gjatësi 24 cm dhe gjatësi tehu me gjemba 11 cm, duke kryer kështu veprën armëmbajtje pa leje.