Arkiv

Ish-drejtori i RTK-së lirohet nga akuzat e Prokurorisë

Ish-drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Sylejman Shaqiri është liruar nga akuzat e Prokurorisë që rëndonin ndaj tij. Shaqiri nga Gjykata e Prishtinës sot me vendim unanim u lirua nga akuza për keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Prokuroria e akuzonte Sylejman Shaqirin, se derisa ishte drejtor i përgjithshëm i RKT-së, në vazhdimësi gjatë periudhës kohore 2008-2011 kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Prokuroria pretendonte se Shaqiri me 28.07.2010, kishte marrë vendim me të cilin e kishte ndryshuar nenin e 9-të të kontratës për bashkëpunim (22.12.2008) e përfaqësuar nga i ndjeri Agim Zatriqi për RTK-në, në bazë të të cilit RTK-ja do të kompensonte prodhimin e serialit vendor “Kafeneja jonë” me pagesë me mjete të gatshme dhe jo me hapësirë reklamuese.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në bazë të këtij vendimi, Shaqiri më 02.08.2010 kishte lidhur aneks kontratë bashkëpunimi programor me N.SH.CMB për prodhimin e serialit vendor “Kafeneja jonë”, edhe pse për kontratën bazë të datës 22.12.2010 e lidhur me të njëjtit nuk ishin respektuar procedurat e Prokurimit Publik, ashtu siç e parasheh Ligji për Prokurimin Publik.

Aktakuza shpjegon se i njëjti më 25.09.2011 mori vendim që të lidhte kontratë mbi bashkëpunimin programor me N.Sh.CMB për prodhimin e serialit “Kafeneja jonë” për periudhën nga 22.09.2011 e deri me datën 31.08.2013, ndërsa me datën 25.09.2011 kishte lidhur kontratë tjetër me të njëjtit.

Shaqiri sipas Prokurorisë më 14.03.2011 lidhi kontratë me emërtimin test për moderator të ri ku në bazë e kësaj kontrate është rregullimi i të drejtave dhe obligimeve të ndërsjella lidhur me të drejtat e emetimit të emisionit televiziv “Kush do të bëhet milioner?” me licencë nga 2 Way Traffic and “ Sony Picture Entertaiment Company” .

Më pas me datën 15.03.2011, sipas aktakuzës, ai duke përfaqësuar RTK me operatorin ekonomik “Grand Media” lidhi kontratë mbi emetimin televiziv lidhur me prodhimin e kaluar nëpërmjet procedurave te prokurimit ashtu siç e parasheh Ligji i Prokurimit Publik të Kosovës e me ç’rast buxhetit të RTK-së i ka shkaktuar dëm në shumë prej 460,000.00 euro,

Pjesë e kësaj aktakuze ishte edhe Liridon Cahani, i cili sipas pretendimeve të Prokurorisë derisa ishte drejtor programor i RTK-së, në vazhdimësi gjatë periudhës 2005-2008, kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare. Aktakuza ndaj tij ishte parashkruar.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Cahani me datë 13.05.2005 kishte lidhur aneks kontratën “CMB Production” për prodhimin e episodeve të serialit vendor “Kafeneja jonë”, si dhe me datë 23.09.2008 kishte lidhur kontratën me emisionin ”Kush do të bëhet milioner?” me operatorin ekonomik “Grand Media”.

Këto kontrata sipas Prokurorisë nuk kishin kaluar nëpërmjet procedurave të prokurimit publik.

Më tutje aktakuza ngarkon edhe Anotonio Gashin, se si U.D. Drejtor Programor i Televizionit të Kosovës, në vazhdimësi gjatë periudhës kohore 2008-2009, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare , në atë mënyrë që me datë 26.12.2008 lidhi marrëveshje bashkëpunimi programor me Operatorin Ekonomik” Grand Media” në Prishtinë për rregullimin e të drejtave dhe obligimeve të ndërsjella lidhur me emetimin e emisionit televiziv “ Kush do të bëhet milioner?”.

Prokuroria e ngarkonte Gashin edhe se me datë 01.09.2009 lidhi kontratë mbi emetimin televiziv me “Grand Media” për rregullimin e të drejtave dhe obligimeve të ndërsjella lidhur me emetimin e emisionit të njëjtë edhe pse lidhja e këtyre kontratave nuk ka kaluar nëpërmjet procedurave të Prokurimit, ashtu siç e parasheh Ligji për Prokurimin Publik të Kosovës. Edhe ndaj Gashit ishte parashkruar akatakuza.