Gjykimi ndaj ish-drejtorit të RTK-së, dëshmitari: RTK-ja nuk është dëmtuar me lidhjen e kontratës për emisionin ‘Kush do të bëhet milioner?’

Procesi gjyqësor ndaj Sylejman Shaqirit, ish-drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Shqiprim Haliti.

Të akuzuar në këtë proces ishin edhe Antonio Gashi dhe Liridon Cahani, por ndaj tyre kishte arritur parashkrimi pasi kishte kaluar dyfishi i kohës nga koha kur pretendohet se është kryer vepra penale.

Dëshmitari Shqiprim Haliti, tregoi se lidhur me këtë çështje penale kishte dhënë deklaratë edhe në Prokurori.

Ai fillimisht tregoi se në RTK, punon nga 1 janari 2016 në cilësinë e zyrtarit ligjor.

Dëshmitari Haliti, u pyet nga prokurorja Merrushe Llugiqi, për dy kontrata që kishte lidhur RTK-ja për prodhimin e serialit “Kafeneja jonë” dhe emisionit “Kush do të behët milioner?”.

Dëshmitari Haliti ndonëse zyrtar ligjor i RTK-së tha se për serialin ‘Kafeneja jonë” nuk kishte njohuri, ndërsa rreth emisionit “Kush do të bëhet milioner?” ishte informuar nga menaxhmenti i lartë i RTK-së.

Shqiprim Haliti në cilësinë e dëshmitarit tha se nuk ka njohuri lidhur me procedurën e prokurimit, lidhjen e kontratave dhe dëmin që i është shkaktuar RTK-së.

Ai gjithashtu tha se nuk ka njohuri edhe sot se kush i nënshkruan kontratat për projektet e reja.

Por Haliti, deklaroi se kontratën për emisionin javor “Kush do të bëhet milioner?” e kishte nënshkruar ish-drejtori i RTK-së Sylejman Shaqiri.

Ndërsa në lidhje me pezullimin e kontratës për emisionin javor “Kush do të bëhet milioner?”, dëshmitari Haliti tha se “RTK-ja ka pasur vështirësi financiare”.

Ai gjithashtu tregoi se pasi RTK-ja kishte pezulluar kontratën ishte paditur nga pala tjetër për shkëputjen e njëanshme të kontratës dhe tani rasti është në Gjykatën e Apelit.

Ndërsa në fund dha mendimin e tij se RTK-ja me lidhjen e kontratës për emisionin “Kush do të bëhet milioner?” nuk ishte dëmtuar.

“Unë them se nuk është dëmtuar RTK-ja sepse nuk kam asnjë fakt me të cilin e vërtetoj të kundërtën”, tha dëshmitari Shqiprim Haliti.

Trupi gjykues vendosi që sipas detyrës zyrtare ta ftojë në cilësinë e dëshmitarit  Naser Gjinovcin, ish-menaxherin e lartë të zyrës ligjore të RTK-së.

Seanca e radhës u caktua për datën 4 mars, ku pas dëgjimit të dëshmitarit Naser Gjinovci pritet të përfundoj gjykimi në këtë çështje penale.

Aktakuza shpjegon se Liridon Cahani, derisa ishte Drejtor Programor i RTK-së, në vazhdimësi gjatë periudhës 2005 – 2008, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare. Sipas dosjes së Prokurorisë, Shaqiri me datën 13.05.2005 ka lidhur aneks kontratën “CMB Production” për prodhimin e episodeve të serialit vendor “Kafeneja jonë”, si dhe me datë 23.09.2008 ka lidhur kontratën me emisionin “Kush do të bëhet milioner?” me operatorin ekonomik “Grand Media”.

Këto kontrata sipas Prokurorisë nuk kanë kaluar nëpërmjet procedurave të Prokurimit Publik.

Prokuroria e akuzon Sylejman Shaqirin edhe se derisa ishte drejtor i Përgjithshëm i RKT-së, në vazhdimësi gjatë periudhës  kohore 2008 – 2011 ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Dosja e Prokurorisë thekson se i akuzuari Sylejman Shaqiri me 28.07.2010, merr vendim me të cilin ndryshon nenin e 9-të të kontratës për bashkëpunim (22.12.2008) e përfaqësuar nga i ndjeri Agim Zatriqi për RTK në bazë të të cilit RTK-ja do të kompensojë prodhimin e serialit vendor “Kafeneja jonë” me pagesë me mjete të gatshme dhe jo me hapësirë reklamuese.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në bazë të këtij vendimi, i akuzuari Shaqiri më 02.08.2010 lidh aneks kontratë bashkëpunimi programor me N.SH.CMB për prodhimin e serialit vendor “Kafeneja jonë”, edhe pse për kontratën bazë të datës 22.12.2010 e lidhur me të njëjtit nuk janë respektuar procedurat e Prokurimit Publik, ashtu siç e parasheh Ligji për Prokurimin Publik.

Aktakuza shpjegon se i njëjti më 25.09.2011 mori vendim që të lidhet kontratë mbi bashkëpunimin programor me N.SH.CMB për prodhimin e serialit “Kafeneja jonë” për periudhën nga 22.09.2011 e deri me datën 31.08.2013, ndërsa me datën 25.09.2011 lidh kontratë tjetër me të njëjtit.

Shaqiri sipas Prokurorisë me 14.03.2011 lidhi kontratë me emetimin test për moderator të ri ku bazë e kësaj kontrate është rregullimi i të drejtave dhe obligimeve të ndërsjella lidhur me të drejtat e emetimit të emisionit televiziv “Kush do të bëhet milioner?” me licencë nga 2 Way Traffic and “Sony Picture Entertaiment Company” .

Më pas me datën 15.03.2011, sipas aktakuzës, ai duke përfaqësuar RTK me operatorin ekonomik “Grand Media” lidh kontratë mbi emetimin televiziv lidhur me prodhimin e kaluar nëpërmjet procedurave te prokurimit ashtu siç e parasheh Ligji i Prokurimit Publik të Kosovës e me ç’rast buxhetit të RTK-së i ka shkaktuar dëm në shumë prej 460,000.00 euro,

Më tutje aktakuza ngarkonte edhe Anotonio Gashin, se si U. D. Drejtor Programor i Televizionit të Kosovës, në vazhdimësi gjatë periudhës kohore 2008 – 2009, kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Prokuroria pretendonte se Gashi me datë 26.12.2008 kishte lidhur marrëveshje bashkëpunimi programor me Operatorin Ekonomik ”Grand Media” në Prishtinë për rregullimin e të drejtave dhe obligimeve të ndërsjella lidhur me emetimin e emisionit televiziv “Kush do të bëhet milioner?”.

Prokuroria e ngarkonte Gashin edhe se me datë 01.09.2009 kishte lidhur kontratë mbi emetimin televiziv me “Grand Media” për rregullimin e të drejtave dhe obligimeve të ndërsjella lidhur me emetimin e emisionit të njëjtë edhe pse lidhja e këtyre kontratave nuk ka kaluar nëpërmjet procedurave të Prokurimit, ashtu siç e parasheh Ligji për Prokurimin Publik të Kosovës.

 

 

 

Ish-punëtorët e RTK-së akuzohen për kontrata të jashtëligjshme