Ish-punëtorët e RTK-së akuzohen për kontrata të jashtëligjshme

Tre persona që kishin mbajtur pozita të larta në Radiotelevizionin publik të Kosovs po akuzohen nga prokuroria se i shkaktuan dëme financiare RTK-së duke mos respektuar Ligjin e Prokurimit.

Liridon Cahani, Sylejman Shaqiri dhe Antonio Gashi ishte paraparë që të premten të ballafaqoheshin me këto akuza në gjykatë, mirëpo seanca ndaj tyre u shtye.

Kjo për shkak se në seancë mungoi pala përfaqësuese nga RTK-ja që do të përfaqësonte palën e dëmtuar në këtë rast..

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 11 shkurt në orën 13:30.

Aktakuza shpjegon se Liridon Cahani derisa ishte Drejtor Programor i RTK-së, në vazhdimësi gjatë periudhës 2005-2008, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që datë 13.05.2005 ka lidhur aneks kontratën “CMB Production” për prodhimin e episodave të serialit vendor “Kafeneja jonë ”si dhe me datë 23.09.2008 ka lidhur kontratën me emisionin”Kush do të bëhet milioner” me operatorin ekonomik “Grand Media”.

Këto kontrata sipas prokurorisë nuk kanë kaluar nëpërmjet procedurave të Prokurimit Publik.

Prokuroria e akuzon edhe Sylejman Shaqirin se derisa ishte Drejtor i Përgjithshëm i RKT-së, në vazhdimësi gjatë periudhës  kohore 2008-2011 ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që më 28.07.2010, merr vendim me të cilin ndryshon nenin e 9-të të kontratës për bashkëpunim (22.12.2008) e përfaqësuar nga i ndjeri Agim Zatriqi për RTK në bazë të të cilit RTK-ja do të kompensojë prodhimin e serialit vendor “Kafeneja jonë” me pagesë me mjete të gatshme dhe jo me hapësirë reklamuese.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në bazë të këtij vendimi , i akuzuari Shaqiri më 02.08.2010 lidh aneks kontratë bashkëpunimi programor me N.SH.CMB për prodhimin e serialit vendor “Kafeneja jonë”, edhe pse për kontratën bazë të datës 22.12.2010 e lidhur me të njëjtit nuk janë respektuar procedurat e Prokurimit Publik, ashtu siç e parasheh Ligji për Prokurimin Publik.

Aktakuza shpjegon se i njëjti më 25.09.2011 mori vendim që të lidhet kontratë mbi bashkëpunimin programor me N.SH.CMB për prodhimin e serialit “Kafeneja jonë” për periudhën nga 22.09.2011 e deri me datën 31.08.2013, ndërsa me datën 25.09.2011 lidh kontratë tjetër me të njëjtit.

Shaqiri sipas prokurorisë  më 14.03.2011 lidhi kontratë me emetimin test për moderator të ri ku bazë e kësaj kontrate është rregullimi i të drejtave dhe obligimeve të ndersjella lidhur me të drejtat e emetimit të emisionit televiziv “Kush do të bëhet milioner” me licensë nga 2 Way Traffic and “ Sony Picture Entertaiment Company” .

Më pas me datën 15.03.2011, sipas aktakuzës, ai duke përfaqësuar RTK me operatorin ekonomik “Grand Media” lidh kontratë mbi emetimin televiziv lidhur me prodhimin e kaluar nëpërmjet procedurave te prokurimit ashtu siç e parasheh Ligji i Prokurimit Publik të Kosovës e me ç’rast buxhetit të RTK-së i ka shkaktuar dëm në shumë prej 460.000.00 euro,

Më tutje aktakuza ngarkon edhe Anotonio Gashin, se si U.D Drejtor Programor i Televizionit të Kosovës, në vazhdimësi gjatë periudhës kohore 2008-2009, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare , në atë mënyrë që që me datë 26.12.2008 lidhi marrëveshje bashkëpunimi programor me Operatorin Ekonomik” Grand Media” në Prishtinë për rregullimin e të drejtave dhe obligimeve të ndërsjellta lidhur me emetimin e emisionit televiziv “ Kush do të bëhet milioner”.

Prokuroria e ngargon Gashin edhe se me datë 01.09.2009 lidhi kontratë mbi emetimin televiziv me  “Grand Media” për rregullimin e të drejtave dhe obligimeve të ndërsjella lidhur me emetimin e emisionit të njëjtë edhe pse lidhja e këtyre kontratave nuk ka kaluar nëpërmjet procedurave të Prokurimit, ashtu siç e parasheh Ligji për Prokurimin Publik të Kosovës.