Ajser Skenderi

Gjyqtarja që e dënoi dy herë, nuk e vlerësoi recidivist Dibran Hoxhën

Teuta Krusha nuk është gjyqtarja e vetme nga Prizreni që e dënoi më shumë se një herë Dibran Hoxhën dhe nuk mori parasysh të kaluarën e tij kriminale kur vendosi për lartësinë e dënimit.

Këtë e bëri edhe gjyqtarja Ajser Skenderi, e cila i gjykoi dy raste ku i akuzuar ishte Dibran Hoxha. Në këto dy raste epilogu ishte gjoba.

As dënimi i saj e as dhjetëra dënime të plotfuqishme të cilat i kishte Dibran Hoxha nuk u panë si rrethanë rënduese në vitin 2020 kur u shqiptua dënimi i fundit ndaj tij.

Në vitin 2020 Hoxha akuzohej për lëndim të rëndë trupor. Në këtë rast Hoxhaj e kishte goditur me thikë viktimën i cili kishte rënë në tokë e ishte goditur me grushte e shkelma.

Për këtë veprim “Kobra” ishte dënuar nga gjyqtarja Skenderi me 6 muaj burg me kusht, i cili dënim ishte kthyer në dënim me gjobë në shumë prej 6 mijë euro.

Gjyqtarja Skenderi për herë të parë punë me të akuzuarin Hoxha kishte pasur në vitin 2012 kur për armëmbajtje pa leje e kishte dënuar me 800 euro gjobë.

Rastet e ‘Kobrës’ që u gjykuan nga gjyqtarja Ajsere Skenderi

Rasti i armëmbajtjes pa leje

Dibran Hoxha në vitin 2012 ishte gjetur fajtor pasi që ishte vërtetuar se kishte mbajtur pa leje në pronësi armën e tipit ‘Zoraki’  të modelit 914.

Prokuroria kishte konstatuar se këtë armë Hoxha ka qenë duke e mbajtur në brez bashkë me një karikator më 6 fishekë.

Gjykata me rastin e vlerësimit të rrethanave për të ardhur deri tek dënimi me gjobë 800 euro nuk gjeti asnjë rrethanë rënduese pos faktit se në atë kohë në territorin e gjykatës së Prizrenit veprat e armëmbajtjes pa leje kanë qenë në rritje.

Ndërsa si rrethana lehtësuese gjykata gjeti, pranimin e fajësisë, sjelljen korrekte para gjykatës, gjendjen ekonomike të dobët, meqë ‘Kobra’ ishte deklaruar i papunë dhe faktin se ishte hera e parë që ai po binte ndesh me ligjin.

E si duket gjyqtarja nuk ka qenë në dijeni që ‘Kobra’  para vendimit të saj të vitit 2012 është dënuar edhe 3 herë të tjera nga Gjykata e Prizrenit.

Madje pas këtij vendimi, në vitin 2012 Gjykata e Prizrenit i kishte nxjerrë edhe dy aktgjykime tjera dënuese ndaj ‘Kobrës’.

Rasti i lëndimit të rëndë trupor

Hoxha ishte gjetur fajtor në vitin 2020 për një incident në lokalin e tij ‘Cobra City’, ku ai i kishte shkaktuar lëndim të rëndë trupor një personi.

Sipas dosjes thuhet se personi i lënduar  në gjendje të dehur në njërën nga tavolinat e lokalit në fjalë, ku Hoxha  është pronar, nxjerrë armën dhe gjuan në drejtim të kulmit të lokalit.

Sipas dosjes, Hoxha si reagim ndaj veprimit të këtij personi, shkon në drejtim të tij i shoqëruar nga një person tjetër dhe e godet me grushte, madje e therë edhe me thikë, duke i shkaktuar kështu lëndime të rënda trupore personit në fjalë.

Edhe në këtë rast, tek matja e ashpërsisë së dënimit, gjyqtarja ndonëse e kishte gjykuar njëherë Hoxhajn, përsëri nuk gjeti rrethana rënduese.

KALLXO.com ka publikuar një artikull që shpërfaq se si gjyqtarët në 17 aktgjykime dënuese nuk e kanë marrë parasysh të kaluarën e errët kriminale të Hoxhës.

Në asnjërin nga 17 aktgjykimet të cilat i ka analizuar KALLXO.com, nuk është evidentuar nëse gjyqtarët e kanë marrë për bazë si rrethanë rënduese faktin se Dibran Hoxha ka kryer krime në të kaluarën. Madje në 13 nga këto raste, gjyqtarët e Prizrenit nuk kishin gjetur asnjë rrethanë rënduese që do të ndikonte që Dibran Hoxha të dënohej më ashpër.

Të gjitha raportimet për këtë rast i gjeni në këtë LINK.