Gjykimi ndaj Remzi Shalës, Foto: KALLXO.com

Gjykimi për krime lufte, i akuzuari Remzi Shala propozon të dëgjohen dëshmitarë të rinj

Remzi Shala, i njohur në kohën e luftës me nofkën “Molla e Kuqe”, është ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me aktakuzën e Prokurorisë Speciale për krime lufte.

Shala po akuzohet se në qershor të viti 1998, bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi ishte duke bashkëpunuar me forcat serbe kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin.

Përteshi pak ditë më pas ishte gjetur i vdekur pranë rrugës në fshatin e tij – Duhël të Suharekës.

Të martën i akuzuari Shala ka propozuar që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Emrush Guri.

Për këtë gjykatësja, Raima Elezi lëshoi urdhëresë për verifikim e këtij dëshmitari, pasi i njëjti jetonte jashtë Kosovës.

Paraprakisht në këtë seancë është bërë leximi i disa provave e deklaratave të dëshmitarëve dhënë në vitin 2016.

Pasi që nga palët nuk pati propozimi të tjera, shqyrtimi i sotëm u ndërpre.

Seancat e radhës u caktuan për më 20 dhe 21 nëntor 2022.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Remzi Shala është dënuar me 14 vite burgim, kurse Gjykata e Apelit përmes një vendimi i ka zbutur dënimin në 10 vite burgim. Pas kësaj, Gjykata Supreme ka anuluar këto dy gjykime duke e kthyer rastin në rigjykim.

KALLXO.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Remzi Shala mund t’i lexoni në LINK.