Gjykimi për kontratat pa tenderë, anulohet seanca ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit në Prizren

Me kërkesë të përfaqësueses së të dëmtuarës – Komunës së Prizrenit, Vlora Isufi-Gjogjaj, është anuluar seanca ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, në këtë komunë, Nijazi Kryeziu.

Kryeziu po gjykohet se ka lidhur kontrata pa tenderë me televizionet lokale në kohën sa punonte në Komunën e Prizrenit.

Përfaqësuesja e komunës, Isufi-Gjogjaj përmes parashtresës ka njoftuar gjykatën se gjendet në pushim vjetor dhe ka kërkuar shtyrjen e seancës së sotme.

Andaj nën këto rrethana shqyrtimi i sotëm është anuluar.

Seanca e radhës është caktuar për 29 shtator të këtij viti.

Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar kur ishte drejtor i Urbanizmit në Prizren nën udhëheqjen e ish-kryetarit të atëherëshëm, Ramadan Muja.

Prokuroria Kryeziun e ka akuzuar se pa hapur ndonjë procedurë tenderuese ka lidhur kontratë me “TV Opinion” për emetimin e spoteve reklamuese për sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit me të cilën ka udhëhequr.

Dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate cilësohet të jetë në total prej 7 mijë e 200 euro, për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2015, në vlerë prej 600 euro në muaj.

Për të gjitha këto akuza, Kryeziu ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Prizrenit në shtatorin e vitit 2021, por Gjykata e Apelit çështjen e ka kthyer në rigjykim.

“Konkludimi i gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari nuk ka kryer vepër penale nuk mund të provohet si i drejtë i ligjshëm, kështu që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë për rivendosje” – thuhet në vendimin e Apelit.

Apeli mes tjerash ka gjetur se arsyetimi përveç që është bazuar në prova të papranueshme, gjykata e shkallës së parë provën për të cilën ka vendosur të shpallë të papranueshme e ka refuzuar të nxjerr provë tjetër.

“Edhe pse ekspertizën financiare e ka shpallur provë të papranueshme, gjykata nuk vendosi që të procedojë me provën përmes ekspertizës tjetër, por, përkundrazi e refuzon propozimin e prokurorit ndërsa në arsyetim nuk thuhet asgjë lidhur me këtë refuzim” – thuhet në vendim.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.