Haki Azemaj detyrohet të ngritet në këmbë në gjykatën e Gjakovës. Foto: Kallxo.com

Gjykimi për afishet kundër zgjedhjeve: I akuzuari, gjykatës: "Ju jeni qafira e pabesimtarë"

Policëve iu desh që ta kapin për krahësh Haki Azemajn për ta ngritur në këmbë kur ai refuzoi ta bënte këtë në gjykatën e Gjakovës.

 

Azemaj, bashkë me Valon Dervishajn, po akuzohen për vendosjen e afisheve nëpër Gjakovë kundër pjesëmarrjes në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit që u mbajtën vitin e kaluar në Kosovë.

Me këto afishe, ata propagandonin “ligjet e Allahut”.

Kur gjykatësi e thirri atë të ngritej në këmbë për t’ia marrë të dhënat personale, Haki Azemaj, pranoi se i ka vendosur afishet, por refuzoi të ngritej.

Ai gjithashtu e mohoi shtetin dhe ligjet e Kosovës.

“Mohoj shtetin e juj, ligjin juj, e kam vetëm një dhe ai është Allahu. E urrej këtë punë. Ju jeni pabesimtarë, për mu jeni qafira dhe qafiri dihet ku shkon në zjarr të xhehnemit. Ky ligj është i padrejtë, e mohoj këtë ligj ngase këtë ligj e ka sjell njeriu dhe unë i përmbahem vetëm ligjeve të Allahut”, deklaroi Haki Azemaj.

Prokuroria thotë se Azemaj dhe Dervishaj, me këto afishe, kanë synuar që të ndikojnë te votuesit për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Sipas aktakuzës, Azemaj dhe Dervishaj me qëllim të parandalimit të njerëzve për të votuar kishin vendosur afishe me përmbajtje “Kujdes votimi për ligjet e nxjerrura nga njeriu, është SHIRK ti bësh ortak All-llahut”.

Edhe Valon Dervishaj i dha atribute fetare veprës për të cilën po akuzohet.

“Nuk pajtona për këtë vepër që e kam bo derisa Allahu të ma merr shpirtin, kjo nuk është vepër penale por këshilla është vepër e lëvdushme. Unë thirrna vetëm në atë që Allahu e ka urdhëru”, deklaroi Valon Dervishaj.

“Deklarohem i pafajshëm sepse s’kam ba një vepër që e lëndon dikon, por e pranoj që ato afishe i kam vendosë”, shtoi Dervishaj.

Mirëpo, prokurori Ramiz Buzhala, u tha të akuzuarve se ligjet e Kosovës e ndalojnë vendosjen e afisheve.

“Ligji e ka paraparë që të vendosen ato afishe. Kur ta krijoni ju shtetin e juaj, vendosni ato”, u tha prokurori Buzhala të akuzuarve.

Ndërsa i akuzuari i tretë, Muhamet Azemaj, po akuzohet për armëmbajtje pa leje, vepër të cilën ai e pranoi në gjykatë.

Ndërkaq, gjykatësi Shaqir Zika duke aprovuar pranimin e fajësisë ndaj të akuzuarit Muhamet Azemaj, caktoi datën 11 shkurt për seancën e dytë.

Sipas aktakuzës, Haki Azemaj dhe Valon Dervishaj një ditë para zgjedhjeve nacionale, duke ju bërë thirrje votuesve për mospjesmarrje në votime, kishin vendosur afishe me përmbajtje “Kujdes votimi për ligjet e nxjerrura nga njeriu, është SHIRK ti bësh ortak All-llahut”.

Aktakuza thotë se këto afishe i kishin shumëzuar në një shtypshkronjë në Gjakovë dhe i kishin vendosur në “Xhaminë e Sofës”, në afërsi të shkollës fillore “Zekeria Rexha” dhe në Çarshinë e Vjetër.

Një ditë më pas, pikërisht në ditën e zgjedhjeve, Policia gjatë bastisjes në shtëpinë e Haki Azemajt e kishte gjetur një armë me gaz të cilën e mbante vëllai i tij Muhamet Azemaj.