Gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së vazhdon i mbyllur me dëshmitarin e 11-të

Seanca e së martës në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të njëmbëdhjetë, i identifikuar me kodin 03811. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka vazhduar me marrjen në pyetje të këtij dëshmitari.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith paraprakisht theksoi se ekipet e mbrojtjes e kanë shkurtuar kohën e marrjes në pyetje në më pak se 2 orë për këtë dëshmitar.

Të gjithë të akuzuarit e tjerë janë të pranishëm në shqyrtimin gjyqësor përveç Jakup Krasniqit, i cili është duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes.

Seanca po vazhdon e mbyllur për publikun.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023, dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.