Foto: KALLXO.com

Gjykimi i zyrtarit të Komunës së Malishevës, dëshmitari: Kablloja kontestuese është e KEDS-it

Në gjykimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj ish-shefit të Shërbimeve Publike në Malishevë, Ismet Mazreku, dëshmoi Agnez Furra, ish-drejtor i KEDS-it, në rajonin e Gjakovës.

Ismet Mazreku, ish-shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës se kishte bërë manipulime me furnizim të kabllos elektrike në fshatin Gajrak të Malishevës në vlerë mbi 8 mijë euro.

Ish-drejtori i KEDS-it, Agnez Furra, tregoi se ka qenë një projekt që e ka udhëhequr distrikti në Gjakovë me inxhinier Pllum Kuqin.

“Ky projekt ka qenë investim i KEDS-it, kablloja ka qenë e tensionit të mesëm 10KV e vendosur në lagjen Begaj”, deklaroi ai.

Ai tha se nuk është në dijeni që përmes procedurës së prokurorimit në Komunë është blerë një kabllo e tillë.

“Nga ana e KEDS-it ky projekt ka përfunduar nga ekipi i Gjakovës dhe i njëjti është mbyllur”, deklaroi Agnez Furra.

“Kablloja është investim i KEDS-it dhe e njëjta kabllo mund të përcaktohet në bazë të specifikacioneve të kabllos që gjendet në terren, llojin dhe sasinë e kabllos pasi që e njëjta është lehtë e verifikueshme”, deklaroi ish-drejtori i KEDS-it.

Ai tregoi se KEDS-i ka dëshmi që kjo kabllo ka dalë nga depoja qendrore në Prishtinë, më pas ka ardhur në depon në Gjakovë dhe të njëjtën e ka marrë ekipi i mirëmbajtjes.

“Të gjitha të hyrat dhe daljet e kësaj kablloje gjenden edhe në shkresat e lëndës të cilat janë dorëzuar edhe në Prokurori”, deklaroi Agnez Furra.

Në këtë rast KEDS-i pretendon se ata e kanë vendosur kabllon në fshatin Gajrak të Malishevës, mirëpo në anën tjetër Komuna thotë se ka blerë kabllo përmes procedurës së prokurorimit dhe kanë vendosur kabllon në të njëjtin fshat.

Në seancën e radhës, të caktuar për më 23 shtator do të dëshmojnë kryepuntori-udhëheqësi i punimeve, Hasan Alija dhe depoisti Agron Lushi.

Ndërsa sot dëshmitari Muharrem Hoti nuk ishte prezent, me arsyetimin se e kishte nënën në gjendje kome.

Një seancë e këtij gjykimi kishte dështuar të mbahej për shkak të mosprezencës së të akuzuarit.

Dëshmia e Ragip Begajt në akuzat për korrupsion në Malishevë

Në seancën e kaluar në këtë gjykim kishte dëshmuar edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Dëshmia e Ragip Begajt në akuzat për korrupsion në Malishevë

Sipas aktakuzës, Ismet Mazreku në cilësinë e shefit të Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik.

Në aktakuzë thuhet se me rastin e inicimit të kërkesës për furnizim me kabllo elektrike të fshatit Gajrak të komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit nga N.T.Sh “Leoni” në vlerë prej 8.727.90 euro, me kabllo me gjatësi prej 410 metra, të cilën kabllo e kishte pranuar dhe e kishte përgatitur raportin e pranimit për furnizim me kabllo elektrike, por nuk vërtetohet që e njëjta është investuar në fshatin Gajrak të komunës së Malishevës.