Gjykata Themelore e Pejës. Foto: Atdhe Mulla.

Edhe nga dy muaj arrest shtëpiak për disa drejtorë e zyrtarë të Istogut, Klinës e Deçanit

Gjykata e Pejës ua ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Istogut, Jashar Blakaj dhe zyrtarëve të kësaj drejtorie, Rrustem Gashi dhe Rexhep Blakaj.

Masa e arrestit shtëpiak është vazhduar edhe ndaj drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Klinës, Lorenc Marleku, zyrtarit të kësaj drejtorie Ali Gashi, e po ashtu ndaj drejtorit për Urbanizëm në Komunën e Deçanit, Ramë Melaj.

Arresti shtëpiak është vazhduar për dy muaj. Ata po hetohen për vepra penale të korrupsionit.

Leje ndërtimore për mbindërtim, dyshohet se në kundërshtim me ligjin kishte lëshuar drejtori i Urbanizmit në Klinë, Lorenc Marleku.

Sipas Prokurorisë, leje të tilla nuk parashihen me Ligjin për ndërtim dhe ato në Klinë janë lëshuar në bazë të Planit Zhvillimor Komunal Klina, plan ky që është aprovuar më 2021, e për të cilin plan nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ende nuk i ka aprovuar Hartat Zonale.

Dyshime të ngjashme rëndojnë edhe mbi drejtorët Ramë Melaj dhe Jashar Blakaj.

Sipas Prokurorisë drejtori Melaj kishte lëshuar lejen për ndërtim në Bjeshkën e Belegut edhe pse kjo pjesë është në Parkun Kombëtar, i cili është pjesë e mbrojtur.

Ai dyshohet se e kishte keqpërdorur pozitën edhe kur kishte dhënë lejen për implementimin e projektit “Via Ferrata – Deçan”, në zonën e grykës së Deçanit si dhe për dhënien e pëlqimit për ndërtimin e restorantit në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar.

Sipas Prokurorisë nuk mund të lëshohen lejet ndërtimore në këtë zonë pa u miratuar plani hapësinor i zonës së veçantë nga Kuvendi i Kosovës.

Për keqpërdorim të detyrës zyrtare dyshohet edhe drejtori i Urbanizmit në Istog, Jashar Blakaj.

Sipas Prokurorisë ai bashkë me zyrtarët e tjerë të kësaj komune, e kanë keqpërdorur pozitën e tyre pasi kanë dhënë leje ndërtimore për ndërtimin e banesave në kate me të larta se sa parashihej për atë zonë.

Madje ndërtues ishte kompania e djalit të njërit nga zyrtarët e urbanizmit të kësaj komune.