Foto: KALLXO.com

Dështon seanca për vrasjen e të riut në Deçan

Gjykata e Pejës për të tretën herë radhazi ka dështuar të vazhdojë procesin gjyqësor për vrasjen e Agonis Tetajt, vrasje për të cilën po akuzohet Shaban Gogaj.

Shaban Gogaj akuzohet se me armë zjarri e ka privuar nga jeta Agonis Tetajn, i cili ishte punëtor në kompaninë e të akuzuarit.

Seanca e sotme gjyqësore nuk është mbajtur për shkak të mungeses së kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Husaj Rugova dhe gjykatëses Florije Zatriqi.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Tringa Zhuti.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë se Pejës, më 23 shtator të vitit të kaluar, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Vrasja e Agonis Tetajt, eksperti i balistikës tregon për aftësitë e të akuzuarit në përdorimin e armës