Selatin Krasniqi, dëshmitari i dymbëdhjetë i mbrojtjes para Dhomave të Specializuara duke dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës – 22.04.2022

Gjykimi ndaj Salih Mustafës, dëshmitari Selatin Krasniqi përfundon dëshminë e tij

Selatin Krasniqi dëshmitar i dymbëdhjetë i mbrojtjes para Dhomave të Specializuara ka përfunduar dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës.

Krasniqi ka pohuar qëndrimet e tij të njëjta se në fshatin Zllash nuk mbaheshin njerëz të ndaluar.

Salih Mustafa i njohur me nofkën Komandant “Cali” nga Prokuroria Speciale po akuzohet për krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtarët e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij dëshmitari i dymbëdhjetë i mbrojtjes, Selatin Krasniqi gjatë rimarrjes në pyetje nga avokati Julius Von Bone lidhur me ndërtesën 4A deklaroi se ajo përdorej për lënien e mjeteve bujqësore.

Ai ka mohuar se kjo ndërtesë të ishte përdorur nga njësia BIA.

“Prokuroria parashtron se janë mbajtur njerëz në atë ndërtesë, brenda asaj ndërtese, katit përdhesë. Çfarë kishit për të thënë për këtë”, pyeti avokati.

Krasniqi u përgjigj duke thënë se nuk ka pasur njerëz të ndaluar në atë ndërtesë.

“As nuk kam pa që ka e as nuk ka pasur. Edhe nuk mundet me thonë kërkush që ka pas njerëz të ndalum aty”, tha dëshmitari.

Lidhur me këtë Krasniqi ka bërë të ditur se në këtë objekt së bashku me përfaqësues të prokurorisë vitin e kaluar kishin qenë aty.

“Kanë qenë tri makina, nuk e di sa veta, veç jon kon tri makina”, ka thënë dëshmitari duke iu referuar Silvia D’Ascolit.

Sipas Krasniqit ky takim kishte zgjatur rreth tre orë.

“Kam dëgjuar prej familjarëve, që prokurori ka thënë këtu që nuk na kanë prit mirë në fshat, gjoja se i kena këqyr dikush mrroltë. Veç te sqaroj, janë kon edhe disa punëtorë por jon kon larg diku 40 metra prej aty, nuk ka pas tjerë njerëz përveç meje dhe ka qenë tu ra shi këta e dinë”, deklaroi dëshmitari.

Ai ka sqaruar se nga prokuroria ishte thirr edhe pas një kohe për t’i sqaruar disa gjëra por nuk ka pranuar që të flasë.
“Ma kanë thirr edhe djalin tri herë. Herën e parë me verifiku numrin, dy herë nuk e di pse ka thirr, djali jem i ka 15 vjet, a u kon gabim a jo se di që e kanë thirr, ose ndoshta që djali e mban emrin e axhës Kadris, këto nuk mundem me kuptu”, tha Krasniqi.

Rreth vizitës të bërë nga përfaqësues të Prokurorisë Speciale dëshmitari mohoi të ketë folur për ndërtesat-objektet në Zllash.

“Kur kam bisedu me prokurorin vetëm e kam pyet qysh janë Salih Mustafa, Hashimi e Kadria, për atë e kam vet, a janë mirë me shëndet, ma shumë s’kena diskutu”, tha ai.

Në vijim të gjykimit dëshmitari ka sqaruar se ka mbështetur një parti politike.

“Deri në vitin 2000 jena kon krejt në LDK si familje, si fshat. Mas vitit 2000 kena vazhdu dikush andej dikush këndej”, tha Krasniqi.

Ai mohoi të ketë pasur ndarje partiake duke shtuar se qëllimi i të gjithëve ka qenë çlirimi i Kosovës.

“Se kam dëgjuar në aktakuzë që përmendet LDK, gjithë familja kena qenë në LDK, gjithë fshati Zllash, krejt Gollaku e themeluesi i LDK-së Shefki Gashi i fshatit Mramur ka qenë pjesë e luftës. Ismet Beqirin e kam lagje edhe ai ka qenë një ndër themeluesit e LDK-së. Nuk ka pas kurrfarë bindje, qëllimi u kon i njëjtë me çliru Kosovën. Nuk e di kush është ka i shpik këto sene se i vetmi qëllim u kon çlirimi i Kosovës, nuk ka pas bindje politike, me kon je, çka je. Nëse i keni mundësitë me i thirr edhe ata dëshmitarë këtu, Shefkin, Ismet Beqirin e shumë të tjerë, Alushin, të cilët kanë pru ndihma bash në shtëpinë tonë”, deklaroi Krasniqi.

Krasniqi pas dy ditësh marrje në pyetje sot ka përfunduar dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara të Hagës.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e prokurorit të specializuar.

Ish komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e Kallxo.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.