Gjykimi ndaj Pjetër Shalës pritet të nis më 21 shkurt

Dhomat e Specializuara të Hagës kanë caktuar 21 shkurtin si datë kur pritet të fillojë gjykimi i ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

“Më 26 janar, Trupi Gjykues vendosi që gjykimi kundër Pjetër Shalës të fillojë të martën, më 21 shkurt 2023, në orën 09:30. Deklaratat hyrëse të ZPS-së, Mbrojtësit të Viktimave dhe Mbrojtjes, për të cilat secilës palë do t’i caktohen nga 2 orë, do të mbahen në të njëjtën datë dhe më 22 shkurt, ndërsa paraqitja aktuale e provave do të fillojë më 27 mars 2023”- thuhet në njoftim.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet belge ku dhe është duke qëndruar në paraburgim.

Shala akuzohet për krimet të cilat supozohet se u kryen midis majit dhe qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në një fabrikë në Kukës të Shqipërisë.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

Në aktakuzën e konfirmuar më 12 qershor 2020, e njëjta e redaktuar më 15 prill 2021, prokuroria pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Sipas aktakuzës Pjetër Shala akuzohet së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Në aktakuzë përshkruhen pretendimet se Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi kishin marrë në pyetje dhe rrahur një person me shufër metalike, shkop bejsbolli dhe armë.

Tutje në aktakuzë thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Sipas prokurorit të specializuar, Shala ngarkohet me akuza për vrasje, torturë, ndalim arbitrar dhe trajtim mizor.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK