Ilustrim

Gjuajtje me armë mes dy grupeve në Prishtinë

Disa orë më parë, në polici është raportuar për disa të shtëna me armë zjarri në Prishtinë.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Nazmi Gafurri”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj.

Sipas Ahmeti- Hazirajt të shtënat me armë janë raportuar rreth orës 13.

“Policia me të marrë informatën ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke e bërë ekzaminimin e vendit ku ka ndodhë rasti”, tha Ahmeti.

Sipas të dhënave të para dyshohet se dy grupe kanë gjuajtur me armë.

“Bazuar në të dhënat e para dyshohet se ka pas shkëmbim zjarri në mes të dy grupeve, të cilët kanë vazhduar të shtënat edhe pasi janë futur në veturat e tyre, me të cilat kanë lëvizë në rrugën e sipërshënuar”, tha tutje Ahmeti për KALLXO.com.

Ahmeti- Haziraj ka thënë se në kuadër të veprimeve të saj policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për  të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.