Gjykata e Gjilanit

Gjilan - Merr fund gjykimi i shënjestruar për liberalizim të vizave

Gëzim Abazi, i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për ndihmë në kryerjen e veprës penale blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve është shpallur fajtor nga Gjykata e Gjilanit.

Ai është dënuar me 2 vite e 2 muaj dhe 20 ditë burgim, si dhe dënim me gjobë në shumën 1,500 euro.

Të akuzuarit Abazi i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 26 prill 2017 e deri me datën 16 korrik 2019.

“I akuzuari me kohën e kaluar në paraburgim veçse e ka vuajtur dënimin e shqiptuar”, ka thënë Zyhdi Haziri, kryetar i trupit Gjykues.

Të akuzuarit Abazi i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, dhe atë konfiskimi i automjetit Golf V, i cili është përdorur si mjet në kryerjen e veprës penale.

Ndërsa Lutfi Nebiu, i akuzuar për dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale për herë të dytë është liruar nga akuza në mungesë të provave.

Ndryshe në këtë rast akuzoheshin Afrim Luma, Ramadan Hyseni, Fehmi Gashi, Fatos Ahmeti, Gëzim Abazi, Fatmir Statovci, Zeqir Berisha, Lutfi Nebiu dhe Amir Sherifi (i cili gjendet në arrati).

Gëzim Abazi akuzohet për shkak të veprës penale, ndihma në kryerjen e veprës penale (blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve apo substancave psikotrope), kurse Lutfi Nebiu akuzohet për shkak te veprës penale dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale.

Lidhur me këtë çështje Gjykata e Gjilanit kishte vendosur më 16 korrik 2019.

Afrim Luma, Ramadan Hyseni, Fehmi Gashi, Fatos Ahmeti, Gëzim Abazi, Fatmir Statovci dhe Zeqir Berisha më 16 korrik 2019 ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Gjilanit.

Të akuzuarit Afrim Luma, Ramadan Hyseni, Fehmi Gashi, akuzoheshin për veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale blerja, posedimi ose shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve.

Të akuzuarit Afrim Luma dhe Ramadan Hyseni ishin dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 11 vjet si dhe dënim me gjobë në shumë prej 50 mijë euro.

I akuzuari Fehmi Gashi ishte dënuar me 8 vjet burg, dhe dënim me gjobë në shumë prej 20 mijë euro.

I akuzuari tjetër Fatos Ahmeti, i cili akuzohej për veprën penale blerja, shpërndarja, posedimi ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjet dhe dënim me gjobë në shumën prej 10 mijë euro.

Më tutje, i akuzuari Gëzim Abazi, i cili akuzohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjet si dhe dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro.

Gjithashtu, të akuzuarit Fatmir Statovci, Zeqir Berisha që akuzoheshin për ndihmë në kryerjen e veprës penale u dënuan me burg, ashtu që Fatmir Statovci me dënim me burg në kohëzgjatje prej 2 vjet, ndërsa Zeqir Berisha me dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 viti.

Ky shqyrtim gjyqësor kishte nisur nga fillimi, pasi Gjykata e Apelit me datën 27 dhjetor 2019, e kishte kthyer lëndën në rigjykim sa i përket të akuzuarve Gëzim Abazi dhe Lutfi Nebiu, kurse për të akuzuarit tjerë, aktgjykimi i Gjykatës se Gjilanit ishte vërtetuar.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë çështje  – LINK