Spitali Isa Grezda - Gjakovë - Foto arkiv: Kallxo.com

Gjakovë - Aktakuzë ndaj tre zyrtarëve të Spitalit 'Isa Grezda'

Prokuroria e Gjakovës, përkatësisht prokurori Ramiz Buzhala ka ngritur aktakuzë kundër tre personave për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, të akuzuar janë S. N., L. Y. dhe F. S., për keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës S. N., në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i Infermierisë në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë dhe L. Y., si juriste në zyrën e personelit në po këtë spital, dyshohet se nga muaji maj deri në muajin nëntor të vitit 2019, duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare edhe pse përmes parashtresës nga infermieri L. M. janë njoftuar se F. S. e punësuar si infermiere instrumentare në traktin operativ me dhomë zgjimi nuk paraqitej në vendin e punës nga data 02.05.2019, të njëjtit nuk kanë ndërmarrë veprime për të njoftuar menaxhmentin e spitalit për vazhdimin e procedurave ligjore për shkëputjen e kontratës së punës.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, F. S. i është mundësuar marrja e pagës edhe pse në periudhën kohore nga muaji maj e deri në muajin nëntor të vitit 2019, nuk është paraqitur në punë, me çka buxhetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm material në shumë prej 2,716.02 euro.

Në aktakuzë thuhet se F. S. në cilësinë e infermieres në spitalin e Gjakovës, ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare duke tejkaluar kompetencat e saj, sepse paraprakisht nuk ka njoftuar me shkrim memanxhmentin për shkëputjen e marrëdhënjes së punës dhe e njëjta gjatë periudhës maj-nëntor 2019 ka marrë pagë mujore duke mos qenë në vendin e punës.

Në deklaratën e dhënë në Prokurori, S. N., nuk e ka pranuar veprën penale për të cilën ngarkohet, duke thënë që pasi e ka pranuar shkresën nga kryeinfermieri për mos-daljen në punë të infermieres, të njëjtën shkresë e ka prezantuar në Këshillin Drejtues për marrjen e aprovimit nga Drejtori Ekzekutiv, për ndërprerjen e punës së të njëjtës.

Ndërsa, F. S., duke mos pranuar veprën penale në deklaratën e saj në Prokurori ka thënë që verbalisht kishte kërkuar nga juristja L. Y. pushim pa pagesë ose pushim vjetor, por që i njëjti pushim i ishte refuzuar gojarisht dhe se e njëjta iu kishte treguar se më nuk del në punë, si dhe e njëjta ka deklaruar se pasi që ka kuptuar që paga po i del ende në xhirollogari, ka qenë e interesuar që t`i kthej të gjitha të hollat gjatë kohës që nuk ka punuar.

Edhe L. Y., nuk e ka pranuar veprën për të cilën akuzohet, në deklaratën e saj në Prokurori kishte thënë që kishte marrë vendim për shkëputjen e marrëdhënies së punës me datën 04.11.2019, të punëtores F. S.

Aktakuza thotë se këto veprime të të akuzuarve janë në kundërshtim me Ligjin e Punës.

Ky rast pritet të gjykohet nga gjykatësi Drilon Haraçia.