Çekani i drejtesise - Ilustrim

Gjakovë, gruaja kërkon të drejtën e saj në pronë

Pas 7 viteve martesë, çifti nga Gjakova F.F. dhe R.F., në vitin 2016 kishin vendosur të shkurorëzoheshin.

Ata kishin jetuar në bashkësi martesore që nga viti 2009, derisa me aktvendim të Gjykatës së Qarkut në Melek të Republikës së Austrisë ishte përfunduar martesa.

Dy vite më pas, F.F., kishte paditur burrin e saj R.F., përmes një padie për vërtetim të pronësisë.

Sipas padisë, gjatë këtyre viteve ata kishin jetuar nga të ardhurat personale të tyre, ku paditësja F.F., paguante të gjitha shërbimet e shpenzimeve komunale si dhe qeranë e banesës në Austri.

Me mjetet financiare të kursyera, ata kishin blerë një pronë në sipërfaqe prej 633 m2, në rajonin e Gjakovës.

Në padi thuhet se derisa ata jetonin ende në bashkësinë martesore, pranë Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Gjakovë, pronësinë e kësaj parcele, i padituri R.F., e kishte bartur në emër të vet.

Dy vite pas shkurorëzimit, në vitin 2018, F.F., kishte paditur ish-burrin e saj R.F., ku kishte kërkuar nga Gjykata e Gjakovës që t’i njihej e drejta në pronësi, pra gjysma e pronës që ishte blerë me mjete të përbashkëta dhe e njëjta të regjistrohet në emër të saj.

Përveq kësaj, nga ish-burri i saj, ajo përmes padisë kishte kërkuar edhe kompenzimin e shpenzimeve procedurale.

Ndërsa, i padituri R.F., një kërkesë të tillë e kishte kundërshtuar, duke thënë që pretendimet e paditëses F.F., janë tendencioze dhe i njëjti kishte kërkuar nga gjykata që padia e saj të refuzohet si e pabazuar.

Ata kishin tentuar që kontestin e pronës ta rregullojnë përmes procedurës së ndërmjetësimit, por kishte rezultuar i pasuksesshëm.

Pranë gjykatës së Gjakovës, avokati i paditëses F.F., kishte propozuar që të bëhej ekspertizë nga eksperti i gjeodezisë dhe në ndërkohë nëse vërtetohet që në pronën kontestuese ka të ndërtuar ndonjë objekt, atëherë të bëhet edhe një ekspertizë nga eksperti i ndërtimtarisë.

Ky rast pritet që të vazhdojë në muajin shtator, me daljen në vend të ngjarjes.