Emisioni i KALLXO.com paraqitet si provë në gjykimin rreth rrënimit të aneks objektit 'Abi Çarshia'

Gjykimi për rrënimin e aneks-objektit të ‘Abi Çarshisë’ të ndërtuar pa leje ka vazhduar me propozimin e provave të reja nga ana e mbrojtësve dhe të akuzuarve.

Avokati Blerim Mazreku, mbrojtës i të akuzuarit Islam Thaçi në shqyrtimin e sotëm përpara trupit gjykues propozoi rreth 70 prova të reja por edhe prova materiale lidhur me çështjen në fjalë.

Këto prova, për shkak të efikasitetit dhe ekonomizimit të procedurës i njëjti deklaroi se do t’i paraqesë me shkrim brenda afatit ligjor prej 7 ditësh.

Po ashtu, i akuzuari Islam Thaçi ish-kryeinspektor në Komunën e Prizrenit, mbështeti propozimin e mbrojtësit të tij, gjithashtu ai si provë gjykatës dhe palëve të tjera ia paraqiti CD-të e emisionit të realizuara nga “Kallxo.com”, në të cilat përfshihen deklarimet – pamjet filmike të zyrtarëve komunal si dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar”ABI-SHPK”, Irfan Fusha.

Në anën tjetër, për përfaqësuesin e prokurorisë Mehdi Sefa dhe për përfaqësuesin e palës së dëmtuar Taulant Hodaj këto pamje filmike nuk kishin ndonjë relevancë dhe i kundërshtuan provat e paraqitura.

“Në bazë të asaj që e kam parë në emisionin e “Kallxo.com” të realizuar disa vite më parë, konsideroj se nuk ka asnjë relevancë me veprimet që përfshihen në aktakuzë”- shtoi avokati Hodaj.

Tutje në gjykim, avokati Mazreku bëri kundërshtimin e secilës provë të propozuar nga ana e përfaqësuesit të palës së dëmtuar avokat Hodaj të bëra në seancën e kaluar, më datë 16 shtator 2021.

Mes tjerash ai i kundërshtoi provën lidhur me emailin e kryetarit Haskuka drejtuar kryeministrit Albin Kurti.

“Lidhur me emailin e pretenduar nga z. Mytaher Haskuka drejtuar kryeministrit Albin Kurti, e kundërshtojmë ngase ka të meta esenciale si dhe nuk ka hyrje në të cilën mund të verifikohet nëse emaili është dërguar nga z. Haskuka”- tha avokati Blerim Mazreku.

Rrënimi i aneksit të “Abi Çarshia”, avokati Hodaj propozon si provë e-mailin e Mytaher Haskukës drejtuar Albin Kurtit

Nën këto rrethana, duke patur parasysh faktin se në gjykim janë prezantuar një mori të provave të reja, kryetarja e trupit gjykues Kymete Kicaj mori vendim që seanca e sotme të ndërprehet.

Lidhur me aprovimin apo kundërshtimin e provave do të vendoset në seancat e radhës me datë 24,25 dhe 26 dhjetor.

Sipas Prokurorisë,  të akuzuarit Islam Thaçi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë mundësuar realizmin e rrënimit të aneks-objektit të “Abi Çarshia” në Prizren, duke e pasur të ditur faktin se i dëmtuari veçse e kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim të aneksit.

Rasti për të cilin akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 19 dhe 21 korrik 2019.

Vazhdon rrënimi në objektin e ‘Abi Çarshia’ në Prizren

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Udhëzimin Administrativ nr.06/19, Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e aneksit në fjalë, konsiderohet 69 mijë e729 euro.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në këtë link.

https://kallxo.com/tag/abi-carshia/