Rrustem Mustafa në Gjykatën Speciale

Edhe sot Rrustem Mustafa do të dëshmojë në gjykimin ndaj Thaçit e të tjerëve

Sot në Hagë në Dhomat e Specializuara të Kosovës, vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Dje në Gjykatën Speciale ka nisur dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, në rastin  ‘Thaçi dhe të tjerët’.

Prokuroria dje filloi intervistimin me pyetjet për të dhënat personale të Mustafës ku, ndër të tjera, ai ka pohuar se është i njohur si “Remi” dhe se ka qenë ushtar i UÇK-së dhe komandant i Zonës Operative të Llapit.

Mustafa ka konfirmuar se ka dhënë deklarata për procesin gjyqësor kundrejt tij gjatë kohës së UNMIK-ut dhe EULEX-it, si dhe deklaratat e dhëna para tre vjetësh në Gjykatën Speciale.

Ish-komandanti i ZO të Llapit ka deklaruar se personat me të cilët ka bashkëpunuar ishin  të caktuar prej tij, ndonëse emërimet i ka bërë Shtabi i Përgjithshëm.

Ndryshe, Rrustem Mustafa, ish-komandant i ZO të Llapit, pritet të intervistohet për rreth 36 orë, prej tyre 12 orë nga prokuroria, 23 nga mbrojtja e të akuzuarve dhe një orë nga avokati i viktimave.

Seanca gjyqësore vazhdoi dhe u përmbyll me pyetjet rreth organizimit të UÇK-së në ZO të Llapit, ku dëshmitari Rrustem Mustafa ishte komandant, derisa dëshminë e tij ai do ta vazhdojë sot në mëngjes./Rtklive