E akuzuara për shtytje në vrasjen e burrit të saj ballafaqohet me rrëfimin e dëshmitarit në gjykatë

Gruaja e akuzuar për shtytje në vrasjen e burrit, Resmije Bytyqi, bashkë me dy kushërinjtë e saj Murat e Reshat Ademi dhe Fadil Fetiu, janë ulur përsëri në bankën e të akuzuarve.

Abedin Bytyqi nga Suhareka, ishte zhdukur në tetor të vitit 2016, e pas disa kohe trupi i tij u gjet në një mal i djegur e i groposur.

Në nëntor të vitit 2021, Gjykata e Prizrenit i kishte shqiptuar 57 vite burgim tre të akuzuarve, por instanca e dytë e ka kthyer çështjen në rigjykim.

Gjatë seancës së zhvilluar të martën, zyrtari policor Driton Fondaj, ka dhënë dëshmi para trupit gjykues të përbërë nga kryetari Artan Sejrani dhe anëtarët Baki Shigjeqi e Kymete Kicaj.

Fondaj ka deklaruar se ditën kritike kur ka ndodhur rasti ai ishte udhëzuar që të shkojë në Rahovec dhe ta marr të akuzuarin Fadil Fetiu.

Arsyeja e kësaj sipas tij ka qenë se ka punuar si zyrtar i forenzikës dhe ka qenë i të njëjtit fshat me Fadilin. Pasi e kanë marrë Fadilin nga aty, ai tha se ai ishte marrë nga Njësia e Hetimeve Rajonale.

Dëshmitari tutje u shpreh se ka pranuar informacion nga një person se më datë 11 tetor 2016, një person tullac ishte ndalur para një ordinance në Reshtan të Suharekës.

Dëshmitari Driton Fondaj duke iu përgjigjur Florim Vërtopit, avokat i të akuzuarit Murat Ademi, ka mohuar se ka marr CD nga ordinanca ku ishte parë ditën kritike i akuzuari Fadil Fetiu.

Paraprakisht, avokati Florim Vërtopi nga gjykata ka kërkuar të bëhet ndryshimi i procesverbalit të datës 17 tetor 2023, pasi sipas tij nuk ishte në përputhje me shkresën zyrtare.

“Në këtë shkresë zyrtare e cila duhet të administrohet si provë paraqitet ora 14:40 minuta e 56 sekonda të cilën – Pezhon e voziste Fadil Fetiu, ndërsa paraqitet ora 14:40 min e 49 sekonda, të cilën veturë të tipit Picup-Dacia ngjyrë e bardhë e voziste Murat Ademi”- tha avokati Vërtopi.

Por ky ndryshim u kundërshtua nga Sefer Morina, avokat i të akuzuarit Fadil Fetiu, i cili konsideroi se kjo ishte plotësim i procesit në lidhje me konstatimin e gjykatës, për çka nuk është e lejuar.

“Avokati bëri plotësimin e procesverbalit në konstatimin e bërë nga ana e gjykatës, gjë që do të thotë se kjo është e palejueshme dhe e paarsyeshme ngase nuk ka të drejtë ligjore të bëjë këtë plotësim”- u shpreh avokati Morina.

Në lidhje me pretendimet e avokatëve të lartcekur, gjykata do të vendosë pas shikimit të kamerave dhe procesverbalit.

Në seancë, prokurori Genc Nixha ka shtuar se DVR (ruajtës i pamjeve të kamerave) është dorëzuar në gjykatë.

Në lidhje me këtë, Artan Sejrani kryetar i trupit gjykues, konstatoi se gjykata i ishte drejtuar policisë me shkresë zyrtare për të kërkuar informacion se ku gjendet diviari dhe deklara e Fadil Fetiut pasiqë këto nuk janë pranuar nga gjykata.

Gjykimi më tej u zhvillua me leximin e provave nga ana e Gjykatës.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua për më 27 nëntor 2023.

Sipas Prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyqin.

Motivi i krimit, sipas Prokurorisë, ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.

Aktakuza i ngarkon edhe Fadil Fetiun për ndihmë në vrasje, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës, dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte duke e rrahur.

Sipas Prokurorisë, më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrisnin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.

Për këto pretendime në tetor të vitit 2019 dhe në tetor të vitit 2021, Gjykata e Prizrenit i kishte dënuar me gjithsej 57 vite burgim tre të akuzuarit.

Murat Ademi ishte dënuar me 25 vjet burg, bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqin me 20 vjet burg dhe Fadil Fetiu me 12 vjet burg. Ndërkaq, u shpall i pafajshëm nga gjykata  i akuzuari Reshat Ademi.

Por me vendimin e Apelit rasti është kthyer në pikën zero.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK