Prapa grilave - Ilustrim

Dy persona në paraburgim për rastin e dhunimit të 15 vjeçares në Gjilan

Gjykata e Gjilanit ka njoftuar se ndaj të pandehurëve të dyshuar për dhunimin e 15 vjeçares ka caktuar masën e paraburgimit.

Të pandehurve A.Sh. dhe Q.P. u është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditëve.

Gjykata e Gjilanit ka caktuar masën e paraburgimit pasi është bindur se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit në bashkëkryerje e kanë dhunuar të miturën 15 vjeçare edhe pse e kanë ditur moshën e saj.

Gjykata pasi ka shqyrtuar lëndën ndaj dy të pandehurve ka caktuar masën e paraburgimit duke marrë parasysh peshën e veprës penale si dhe  parandalimin që të pandehurit të ndikojnë në njëri- tjetrin, të dëmtuarën dhe me qëllim të ndriqimit të plotë të ngjarjes.

Prokuroria e Gjilanit më 23 tetor kishte ndaluar 3 persona që dyshohen për dhunimin e të miturës.

Ndaj të dyshuarve A.SH. (2001), Q.P. (2001) dhe E.C. (2003) prokurori i rastit, kishte  kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, për shkak të dyshimit të bazuar se në një motel në Gjilan, të njëjtit e kanë detyruar të dëmtuarën e mitur, të moshës 15 vjeçare, të kryente marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj, tha Prokuroria.