Arrestohet oficeri i Policisë në Ferizaj, kapet në flagrancë për fajde

Një zyrtar policor me gradën kapiten është arrestuar sot pasdite nën dyshimin për fajde.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se arrestimin e ka kryer Departamenti i Hetimeve më saktësisht Divizioni për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit sot në orët e pasdites.

Zyrtari policor është punonjës në Drejtorinë Rajonale në Ferizaj.

Arrestimi i tij është bërë në flagrancë sot në orët e pasdites nga hetuesit e IPK-së të Divizionit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion, pas një hetimi të përbashkët me zyrtarët e Drejtorisë të Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës.

Hetimi i përbashkët lidhur me këtë rast kishte filluar rreth një vit më parë kurse si të dyshuar janë të përfshirë edhe disa qytetarë.

Me urdhër të Prokurorisë së Ferizajt hetuesit e IPK-së janë duke realizuar një kontroll në shtëpinë e të dyshuarit në Ferizaj ku në cilësi të provave janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave të gatshme.

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe Kodit të Procedurës Penale.