Foto: KALLXO.com

Denoncimi i Prokurores që po heton vrasjen me pagesë: Njerëz autoritativë më ofruan para

Në gjykimin kundër të akuzuarve Bekim Raja, Murat Sinanaj dhe Avni Sinanaj për vrasjen e Ferdinand Gjinit, prokurorja e rastit tregoi për metodat që, sipas saj, janë përdorur nga i akuzuari Bekim Raja që ajo të tërhiqet dhe të dorëzohet nga rasti.

Prokurorja Valbona Disha- Haxhosaj tha se i akuzuari Raja i ka ofruar shuma parash në formë mite, në mënyrë indirekte nga njerëz autoritativë.

Ajo tha se kur as kjo nuk ka funksionuar i akuzuari Raja me të akuzuarin Avni Sinanaj kanë përdorur metodat e frikësimit, kanosjes ndaj saj.

“Ata fillimisht duke planifikuar kidnapimin e bashkëshortit tim, e pastaj duke mos kursyer as më të shenjtit e secilit prind –fëmijët” , tha prokurorja.

Kjo, sipas prokurores, është vërtetuar nga transkriptet e dëgjimit.

Por prokurorja tha se nuk është tërhequr nga hetimi i rastit.

“Por jo, e nderuara Gjykatë, në asnjë mënyre nuk jam dorëzuar, e as nuk dorëzohem sepse këta ia kam borxh vendit tim, për ndërtimin e një shteti ku sundon ligji dhe vetëm ligji”, shtoi tutje ajo.

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt dhe Avni Sinanajt nën dyshimet se në maj të vitit 2012, në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj të kryejnë vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblimin prej 100 mijë frangash zvicerane.

Vrasja me pagesë, zbardhen përgjimet: Të dyshuarit planifikuan t’i kërkojnë ndihmë Hajdar Beqës

Sipas aktakuzës, më 23.06.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substance narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Me këtë rast i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Sinanaj gjuan me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Pejë, i akuzuari që bashkëpunoi me prokurorinë lëviz me antiplumb në gjykatë

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim. Për të njëjtin rast u arrestuan edhe Bekim Raja, Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj.

Javë më parë, KALLXO.com raportoi se të akuzuarit në këtë rast kishin planifikuar të kërkonin ndihmv nga ish-deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.

Vrasja me pagesë, zbardhen përgjimet: Të dyshuarit planifikuan t’i kërkojnë ndihmë Hajdar Beqës