Foto: Ilustrim

Vrasja me pagesë, zbardhen përgjimet: Të dyshuarit planifikuan t'i kërkojnë ndihmë Hajdar Beqës

Emri i deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa, është përmendur sot në gjykimin për vrasjen me pagesë në Deçan.

I dyshuari Bekim Raja ka rënë në përgjimet e Prokurorisë duke komunikuar me babanë e tij Kristë, me porositë që të kontaktohet Hajdar Beqa.

Kështu u bë e ditur në procesin gjyqësor për vrasjen e Ferdinand Gjinit, gjykim i cili po i afrohet fundit.

Gjatë seancës së sotme mbrojtjen e dha i akuzuari Bekim Raja, i cili dyshohet se ka porositur vrasjen me pagesë të Ferdinand Gjinit.

Raja sot para trupit gjykues u deklarua i pafajshëm për këto akuza.

Prokurorja e rastit Valbona Disha Haxhosaj e pyeti të akuzuarin Bekim Raja se pse kishte kërkuar ndihmë nga deputeti Hajdar Beqaj pasi që nuk e ndjen veten fajtor për këtë vepër penale.

“Pse atëherë keni kërkuar ndihmë prej Hajdar Beqës në këtë proces?“, pyeti prokurorja.

Pas vërejtjes së mbrojtësit të të akuzuarit Bekim Raja, avokatit Arianit Koci, se kjo pyetje është e ndaluar sipas tij, prokurorja e riformuloi pyetjen: “A ke kërkuar ndihmë prej Hajdar Beqës?”, tha ajo.

“Jo”, u përgjigj Raja.

Prokurorja iu referua transkripteve të përgjimit të Bekim Rajës me babanë e tij në qendrën e paraburgimit.

“Bekimi i thotë: Thuaji Hajdarit këqyr se, thuaji Elmisë se e ka një shok tonin. Krista i thotë: OK. OK, se ndeshemi ndër sy këtij kur shkuam me hangër bukë e unë ika. Bekimi i thotë: Mos jep pare njëherë. Krista i thotë: Jo, jo. Bekimi i thotë: Kryjma njëherë shpejt e shpejt thuaj hekma, qitma djalin. N’mujsh me ma hek 3 milionë i ka qitë ky Dema. Bekimi i thotë: Qitma në burg shtëpiak, puna e fytyrës”, lexoi prokurorja.

“Siç thashë më parë nuk përgjigjem pa i dëgju, dhe nuk kanë kuptim këto përgjime”, u përgjigj ai.

“Pse ke ofru kaq shumë pare për m’e dalë prej burgut mbasi nuk qenke fajtor”, u pyet i akuzuari nga prokurorja.

“Nuk kam ofruar pare përveç avokatëve të mi. Nëse prokurorja e din le ta qet emrin”, tha i akuzuari Raja.

Procesi gjyqësor për vrasjen e Ferdinand Gjinit, vrasje që ka ndodhur më 2014 në Prapaqan të Deçanit, po zhvillohet në Gjykatën e Pejës.

Në këtë rast, Bekim Raja, Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, akuzohen se duke vepruar në bashkim kriminal, në qershor të vitit 2014 e kanë vrarë Ferdinand Gjinin.

Për vrasjen e Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg.

Pas këtij dënimi, Pnishi ka bashkëpunuar me Prokurorinë në lidhje me vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke dhënë emrat e të akuzuarve të tjerë, për çka edhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, në shkurt të vitit 2017.

Për disa ditë të akuzuarit kanë dhënë mbrojtjen e tyre.

I akuzuari Gjon Pnishi ka rrëfyer para trupit gjykues momentin prej njohjes me Bekim Rajën e deri në përfundim të ngjarjes, qe përfundoi me vrasjen e Ferdinand Gjinit.

Sipas Pnishit, në Zvicër, i akuzuari Raja i ka kërkuar qe t’ia përcjell Avni Sinanajt porosinë se “a mundesh me ma vra Ferdinand Gjinin”.

Pnishi duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Ndrec Dodajt, tha se një muaj para se ai të kthehej nga Zvicra në Kosovë, saktësisht në korrik të vitit 2012, Raja i kishte premtuar atij 50 mijë franga për bartje të porosisë për vrasjen, gjersa 50 mijë franga tjera për të akuzuarin Avni Sinanaj.

“Pas një jave që jam kthyer në Kosovë jam takuar me Avninë në Deçan, dhe ia kam përcjell porosinë. Avnia tha se e kryer është kjo punë”, deklaroi tutje Pnishi.

I akuzuari Pnishi pretendoi se u kishte thënë të akuzuarve Avni Sinanaj dhe Bekim Raja se ai nuk vret njerëz me pagesë.

“Unë Avnisë dhe Bekimit i kam thënë se unë me pare nuk vraj njerëz, se me pasë konë me vra e kisha vra vetë, nuk i kisha thanë Avnisë”, tha Gjon Pnishi.

“A ki përfituar diçka pas vrasjes?”, u pyet i akuzuari nga avokati i tij.

“Nja dy ose tri ditë para se me u arrestu unë, ka ardhë D1 (dëshmitari bashkëpunues) dhe m’i ka pru 20 mijë franga, ku me tha se t’i ka çu Bekim Raja, sepse unë në atë kohë kam qenë në arrati”, u përgjigj Pnishi.

Tutje, i akuzuari tregoi për planin që kishin për të ndjekur ai dhe të akuzuarit e tjerë në ditën kur u vra Ferdinand Gjini.

Sipas të akuzuarit Pnishi, nuk ka qenë e planifikuar vrasja e Ferdinand Gjinit.

Ai ka treguar detaje nga dita kritike kur u vra viktima.

Anëtari i grupit rrëfen për vrasjen me pagesë në Deçan

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt dhe Avni Sinanajt nën dyshimet se në maj të vitit 2012, në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj të kryejnë vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblimin prej 100 mijë frangash zvicerane.

Sipas aktakuzës, më 23.06.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substance narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Me këtë rast i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Sinanaj gjuan me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim. Për të njëjtin rast u arrestuan edhe Bekim Raja, Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj.