Pejë, i akuzuari që bashkëpunoi me prokurorinë lëviz me antiplumb në gjykatë

Njëri prej të akuzuarve për vrasjen e Ferdinand Gjinit, i cili ka bashkëpunuar me prokurorinë për zbulimin edhe të kryesve tjerë sot erdhi në gjykatë me jelek antiplumb.

Gjon Pnishi  ka dhënë për prokurorinë emrin e Bekim Rajës si personi që ka dhënë shumën prej 100 mijë franga të pandehurve Murat dhe Avni Sinanaj për vrasjen e Ferdinand Gjinit.

Të akuzuar Bekim Raja dhe Murat e Avni Sinanaj nuk e kanë pranuar fajësinë para gjykatës ndërsa Gjon Pnishi nuk e pranon akuzën për vrasje.

Në seancën e kaluar të mbajtur dje trupi gjykues me kryetar gjykatësin Sami Sharraxhiu ka marrë vendim që të mos lejohet publikimi i mbrojtjes së të akuzuarve derisa të gjithë të japin mbrojtjen.

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanit dhe Avni Sinanit nën dyshimet se në maj të vitit 2012, në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj të kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjini, duke premtuar dhe dhënë shpërblimin prej 100 mijë franga.

Sipas aktakuzës, më 23.06.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substance narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni.

Me këtë rast i pandehuri Gjon, duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Sinanaj gjuan me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Për të njëjtin rast u arrestuan edhe Bekim Raja, Avni Sinani dhe Murat Sinani.