Burgim të përjetshëm për burrin që vrau gruan, faktet në të cilat u bazua Gjykata e Prizrenit

Vrasja makabre e gruas me 14 plumba, ngjarje kjo që tronditi qytetin e Prizrenit në vitin 2019, bëri që gjykatësja Raima Elezi të shqiptojë dënimin e dytë me burgim të përjetshëm.

Bajram Velija u akuzua se me datë 6 gusht 2019, pak para mesnate, në mënyrë mizore pas një zënke që çifti kishte pasur në natën kritike, me dashje e privon nga jeta tashmë të ndjerën A. A.

Më 1 tetor të këtij viti, Gjykata e Prizrenit e gjeti fajtorë dhe i shqiptoi  dënimin më të lartë, burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë ndaj anëtarit të ngushtë të familjes.

VIDEO – Momenti kur Bajram Velija dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij

KALLXO.com ka siguruar aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit në të cilën me rastin e shqiptimit të dënimit gjykata ka marrë parasysh të gjitha rrethanat të cilat kanë ndikuar në llojin dhe lartësinë e dënimit.

Duke qenë se jeta e njeriut është vlera më e madhe e mbrojtjes penalo juridike dhe vepra penale është kryer në rrethana posaçërisht rënduese, theksohet se janë plotësuar kushtet ligjore për shqiptimin e dënimit me burgim te përjetshëm.

Asnjë rrethanë lehtësuese nuk është gjetur nga ana e gjykatës, ndërsa në njëzet faqe arsyetim janë paraqitur rrethanat rënduese të cilat kanë ndikuar në shqiptimin e dënimit.

Në aktgjykimin e datës 1 tetor 2021, si rrethanë rënduese gjykata ka pasur parasysh rrezikun shoqëror e cila si element i veprës penale është shprehur në masë të madhe.

“Në viktimën është shtënë 15 herë deri në plumbin e fundit që kishte në pistoletë i akuzuari”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Po ashtu, është marrë parasysh edhe shkalla e përgjegjësisë së kryesit e cila buron nga dashja. Në rastin konkret, pas shprehjes së pakënaqësisë në jetën bashkëshortore dhe pas një mosmarrëveshje, ditën kritike kryerësi i vendosur për veprimet e tij e merr revolen, e ndjek nga pas viktimën me qëllim që ta vret.

“Pas largimit të A. A.-V., me revolen të cilën e kishte pa leje e ndjek nga pas, pasi e gjen e ofendon me fjalë dhe e realizon vendimin”, përshkruhet në aktgjykim.

Përveç kësaj, shkalla e rrezikimit të vlerës së mbrojtur, pasojat e kryerjes së veprës penale, rrethanat nën të cilat është kryer vepra ku natën viktima ka qenë e pambrojtur dhe ka qenë e papritur se çfarë mund t’i ndodhë janë cilësuar si rrethana të tjera rënduese nga trupi gjykues.

Një ndër arsyetimet vijuese të shprehura në aktgjykim, citohet të jetë edhe mënyra tinëzare e vrasjes. I akuzuari ka shtënë së pari në shpinë dhe pasi viktima është rrëzuar në tokë ka vazhduar me 14 shtënie të tjera të gjitha këto në pjesën e epërme të trupit.

Rrethanë tjetër të cilën e mori parasysh Gjykata e Prizrenit ishte edhe sjellja e kryerësit pas vrasjes.

“Nga çanta e saj nxjerr një fustan dhe me gjakftohtësi e mbulon viktimën, e pastaj i thërret vëllain, djalin dhe motrën e viktimës për t’i informuar se thjesht e ka vrarë bashkëshorten”, thuhet në vendim.

Gjykata, gjithashtu ka vlerësuar se i akuzuari në procedurën e zhvilluar ndaj tij asnjëherë nuk ka shprehur keqardhje për rastin. Përkundrazi, ai ka shprehur keqardhje për vetveten duke u arsyetuar se në momentin kritik i ishte paraqitur “një katror i zi” në të cilin ka shtënë mbi të.

Kërkesën e Bajram Velijës që për shkak të moshës, sëmundjes dhe pretendimin se e presin nipa e mbesa gjykata nuk e mbështeti. Kjo pasi që i akuzuari nuk kishte menduar aspak për moshën e re të të ndjerës, e cila vetëm 48 vjeçare ishte shuar nga jeta.

Ndër rrethanat rënduese, gjykata ka vlerësuar qëndrimin jo korrekt ndaj vajzave të viktimës, të cilat pas vdekjes aksidentale të babait, tanimë kanë mbetur pa nënën e shkëputur në mënyrë tinëzare nga dora e Velijës.

Së fundi, theksohet edhe intensiteti i dhimbjes të cilën ia ka shkaktuar vajzave të viktimës. Pasi që vajzat janë munduar që ta shpëtojnë nënën e tyre në çdo mënyrë, njëra duke u nisur menjëherë për në Prizren, e tjetra nga Norvegjia përmes telefonit t’i sigurojë një taksi, në vend se t’ia shpëtonin jetën ato kanë kuptuar për humbjen e të vetmit prind.

“Pas përpjekjeve për shpëtim, kanë kuptuar për humbjen e personit më të dashur, nënës së tyre të vrarë nga personi të cilin e kanë konsideruar si baba”, përshkruhet në arsyetim.

Nisur nga të gjitha rrethanat rënduese të cekura si më lartë, duke mos gjetur asnjë rrethanë lehtësuese Gjykata në Prizren të akuzuarin e ka shpallur fajtor dhe e ka gjykuar sipas ligjit.

Gjykata e Prizrenit ka shprehur bindjen se me dënimin e shqiptuar ndaj të akuzuarit do të arrihet në tërësi qëllimi i dënimit i paraparë në nenin 41 të KPRK, e që është të parandalojë të akuzuarin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, të bëjë rehabilitimin e tij, të parandalojë personat tjerë nga kryerja e veprave penale, të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale dhe të ndikojë në ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit.

Ndërkaq, Orhan Rekathati mbrojtës i të akuzuarit Bajram Velija ka pretenduar se vrasja nuk është kryer me dashje.

“Në momentin e vendosjes për privim nga jeta të tashmë të ndjerës A. A. -V., atij i ka rënë në sy “një katror i zi” dhe duke shtënë në drejtim të viktimës ka humbur vetëdijen se çka është duke bërë”, ka thënë avokati Rekathati.

Bajram Velija sipas prokurorisë më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e ngushtë të familjes-bashkëshorten e tij, A. A.-V.

Pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Nga goditja e predhave viktima ishte rrëzuar për tokë dhe nga plagët e marra kishte vdekur në vend.

Pas kryerjes së këtij veprimi, i akuzuari të ndjerën e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë.

Sipas pikës së dytë të aktakuzës, thuhet se deri më 6 gusht 2020, Velija mban në pronësi dhe kontroll pistoletën e tipit “Pietro Beretta Gardone”, disa karikatorë dhe fishekë, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me të cilën pistoletë prokuroria dyshon se është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK.