Gjykimi për korrupsion - Foto: KALLXO.com

Burg me kusht për të akuzuarit për korrupsion

Me nga një muaj burg me kusht dhe 100 euro gjobë janë dënuar 3 zyrtarë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, të akuzuar për veprën penale – përvetësim në detyrë.

Aktgjykimi u shpall sot në Gjykatën e Mitrovicës nga gjykatësi Tomisllav Petroviq.

Dënimi i lartcekur ndaj të akuzuarve Sabri Isufi, Safet Sumiqi dhe Fidan Peci, punëtorë të KRU “Mitrovica” nuk do të ekzekutohet nëse në afat prej një viti ata nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.

Përveç dënimit, të akuzuarit nga Gjykata janë obliguar që të paguajë shpenzimet procedurale në shumë prej 20 euro, si dhe në emër të kompensimit të viktimave, secili të paguajë shumën prej 50 euro.

Të akuzuarit për këtë vepër penale paraprakisht e kishin pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 4 tetor.

Prokuroria e Mitrovicës akuzon të pandehurit Isufi, Sumiqi dhe Peci se në korrik 2017, në Mitrovicë, në cilësinë e  personave zyrtarë, si kontrollorë për shkyçje dhe regjistrim të ujëmatësve dhe kontrolleve për inkasim të mjeteve të Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit në Mitrovicë, kishin hyrë në hollin e banesës, në katin e dytë, duke kontaktuar me të dëmtuarin Nexhat Hasani, e më pas me të dëmtuarën Nazmije Dobra.

Akuza e Prokurorisë sqaron se të dëmtuarit Hasani dhe Dobra nuk kishin pasur njehsorë të vendosur, ndërsa të pandehurit u kishin kërkuar të dëmtuarve secilit nga 100 euro, me qëllim që t’u blejnë dhe t’u vendosin ujëmatësit.

Sipas aktakuzës ata pastaj kishin shkuar në shitoren “Hekraria” dhe kishin blerë dy ujëmatës nga 15 euro, duke mos u lëshuar faturë dhe duke i vendosur ujëmatësit në mënyrë të kundërligjshme dhe duke përvetësuar para në mënyrë të kundërligjshme.

Me këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – përvetësimi në detyrë.