Foto-ilustrim

Gjykimi i zyrtarëve të AKPPM-së për përvetësimin e mbi 1 milion eurove, dëshmojnë katër dëshmitarë

Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Mendim Sojeva dhe Ganimete Gashi-Ahmeti.

Mendim Sojeva akuzohet për veprat penale – përvetësim në detyrë dhe hyrje në sistemet kompjuterike, ndërsa Ganimete Gashi-Ahmeti akuzohet që në bashkëkryerje me Mendim Sojevën ka kryer veprën penale 0 hyrje në sistemet kompjuterike.

Në bazë të aktakuzës, Mendim Sojeva si person zyrtar – udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Financa në Agjencinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), që është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë, në vazhdimësi në periudhën kohore prej vitit 2014 deri në fund të muajit mars 2018, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka përvetësuar pasurinë e luajtshme – paratë e tërhequra në emër të avanceve për udhëtime zyrtare për zyrtarët e AKPPM-së, të cilat të pandehurit i janë besuar në menaxhim sipas pozitës se tij në kuadër të AKPPM-së.

Shuma e përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme nga Mendim Sojeva, sipas akuzës, është 1.221.501,14 euro.

Andaj ai akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale – përvetësimi në detyrë.

Gjithmonë sipas aktakuzës, të akuzuarit Mendim Sojeva si zyrtar certifikues për qasje në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK) dhe Ganimete Gashi-Ahmeti me autorizim si zyrtare shpenzuese për qasje në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK), në zyrën e kësaj të fundit, në intervalin kohor prej datës 07.02.2018 deri me 12.02.2018, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, për vete apo tjetrin, në bashkëkryerje, në mënyrë të paautorizuar kanë hyrë në sistemin kompjuterik SIMFK me fjalëkalim të personave zyrtarë të Ministrisë së Financave, duke keqpërdorur userat (fjalëkalimet) e Bali Morinës dhe Ibadete Shalës, zyrtarë të Thesarit.

Të akuzuarit me userat e lartcekur, në SIMFK kanë mbyllur avancet duke bërë regjistrimin si shpenzim dhe certifikim të avanceve për udhëtime zyrtare të tërhequra nga banka gjatë vitit 2017, në emër të zyrtarëve të AKPPM-së.

Në këtë seancë u morën në pyetje 4 dëshmitarë të propozuar nga prokurori Haki Gecaj: Teuta Vrenezi, Leonora Haziraj, Granita Selimaj dhe Nadire Lleshi.

Sipas deklaratës se dëshmitares Teuta Vrenezi, prej kur ishte punësuar në vitin 2008 e deri në vitin 2018 kishte bërë katër  udhëtime zyrtare në Zagreb. Për secilin nga këto udhëtime ajo pranoi një shumë të hollash me para në dorë, në emër të avancës nga i akuzuari Mendim Sojeva si udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Financa në AKPPM. Pas udhëtimit zyrtar ajo kishte dorëzuar me para në dorë, shumën e mbetur të parave te Mendim Sojeva për të mbyllur avancën.

E njëjta deklaroi se nuk ka paraqitur kërkesa të tjera për tërheqjen e avanceve përpos udhëtimet e lartecekura dhe se ajo nuk ishte në dijeni se në emër të saj janë tërhequr shuma prej 7.200,00 dhe se nuk e ka pranuar asnjëherë këtë shumë.

Në vazhdim u dëgjua dëshmitarja Leonora Haziraj, që punon në AKPPM që nga marsi i vitit 2008 ndërsa funksionin e arkivistes e ka ushtruar që nga 2009. Ajo deklaroi se gjatë punës se saj nuk pranon dokumente për pagesa, financa apo avance nga zyrtari i Financave për arkivim. Ajo theksoi se që nga viti 2009-2018 ka qenë në 4 ose 5 udhëtime zyrtare për trajnime në Ohër, Durrës dhe Budvë, por për këto trajnime ajo nuk ka pranuar avancë por vetëm pagesë për mëditje pas kthimit nga udhëtimi zyrtar.

Prokurori theksoi se në emër të dëshmitares Leonora Haziraj në vitin 2017 për avance janë zotuar 6.600,00 euro, ndërsa në vitin 2018 janë zotuar 3.000,00 euro. Për këto shuma dhe avance dëshmitarja nuk ishte në dijeni.

Me pas u mor në pyetje Granita Selimaj, drejtoresha e Departamentit për licencim në kuadër të Agjencisë së Barnave.

Ajo kishte bërë 3 udhëtime zyrtare gjatë vitit 2017 dhe atë në Holandë, Durrës dhe Seul. Për këto udhëtime ajo kishte pranuar shumën e caktuar të të hollave në emër të avancës nga i akuzuari Mendim Sojeva. Pas përfundimit të të gjitha udhëtimeve dëshmitarja deklaroi se kishte kthyer shumën e mbetur të parave te Mendim Sojeva për mbylljen e avanceve.

Ajo deklaroi se nuk kishte bërë asnjë udhëtim tjetër përpos këtyre udhëtimeve të deklaruara, andaj ajo nuk ishte në dijeni për shumën e tërhequr në emër të saj prej 19.310,00 euro si avancë.

Në fund u mor në pyetje dëshmitarja Nadire Lleshi, shefe e Divizionit të Regjistrimit të Produkteve Medicinale në kuadër të Departamentit të Autorizuar për Regjistrimin e Produkteve Medicinale. Ajo i qëndron plotësisht deklaratës së dhënë në Polici dhe Prokurori.

Ajo deklaroi se nga viti 2014 deri në vitin 2018 kishte bërë udhëtime zyrtare në Gjermani dhe Kroaci. Për këto udhëtime deklaroi se kishte marrë shumë të të hollave në emër të avanceve nga i akuzuari Mendim Sojeva. Pas përfundimit të udhëtimit, e njëjta kishte kthyer shumën e mbetur të të hollave te Mendim Sojeva, ashtu që avanca ishte mbyllur me rregull.

Në vitin 2017 dëshmitarja kishte qenë në vetëm 1 udhëtim zyrtar në Kroaci për të cilin kishte pranuar avancën prej 2.000,00 euro. Pas udhëtimit ajo kishte kthyer shumën e mbetur të të hollave.

Por sipas provave të Prokurorisë, në emër të saj është tërhequr shuma e avancës prej 13.000,00 Euro. Për këtë shumë dëshmitarja nuk ishte në dijeni.